Familja e kishte shpallur të zhdukur. Çfarë dihet për 20-vjeçarin që hyri me armë në rezidencën e Trump
Detaje të reja janë zbardhur lidhur me 20-vjeçarin që u qëllua për vdekje pasi hyri i armatosur në perimetrin e sigurisë së rezidencës së Donald Trump në Mar-a-Lago, në Palm Beach.
Zëdhënësi i Shërbimit Sekret, Anthony Guglielmi, bëri të ditur se i riu ishte me origjinë nga Karolina e Veriut dhe ishte raportuar i zhdukur nga familja disa ditë më parë.
Sipas hetuesve, ai ishte larguar nga Karolina e Veriut dhe kishte udhëtuar drejt jugut, përpara se të mbërrinte në Florida. Gjatë rrugës dyshohet se kishte siguruar një armë gjahu. Kutia e armës u gjet më vonë në automjetin e tij.
Autoritetet thonë se 20-vjeçari hyri në perimetrin e sigurisë përmes portës veriore të kompleksit, duke kaluar në momentin kur një tjetër automjet po dilte nga rezidenca.
Federal Bureau of Investigation (FBI) po drejton hetimin dhe po analizon provat për të kuptuar motivet dhe lëvizjet e të riut përpara incidentit fatal. Deri tani, nuk janë bërë publike të tjera detaje mbi arsyet e veprimit të tij.

