AUSTRI/ Pesë skiatorë humbin jetën pas rënies së ortekëve
Numri i skiatorëve të vrarë nga ortekët në Austri të premten është rritur në pesë, thanë autoritetet, duke shtuar një seri incidentesh fatale këtë dimër.
Dy persona u gjetën të vdekur pas një rrëshqitjeje në resortin perëndimor të skive Saint Anton am Arlberg.
”Viktimat u nxorën nga dëbora, por nuk mundën të shpëtoheshin”, tha një zëdhënës i policisë.
Nga tre të tjerët që u shpëtuan fillimisht me lëndime, njëri vdiq më vonë në spital në mbrëmje.
Autoritetet nuk ishin menjëherë në gjendje të jepnin detaje mbi moshën ose kombësitë e viktimave.
Në Klosterle, në provincën e Vorarlberg, një zviceran 39-vjeçar vdiq ndërsa bënte snowboard në një shpat të pjerrët me një gjerman 47-vjeçar. 39-vjeçari provokoi rënien e një pllake dëbore duke u rrëmbyer për rreth 250 metra. Shoku i tij mbeti i padëmtuar.
Më parë, një skiator gjerman 42-vjeçar u vra nga një ortek në zonën e skive Nauders në Tirol.
”Burri kishte qenë duke bërë ski jashtë pistës me djalin e tij 16-vjeçar, i cili mbijetoi me lëndime të rënda”, tha policia.
Deri në 40 centimetra dëborë ka rënë në disa pjesë të Tirolit ditët e fundit.
Autoritetet paralajmëruan se kushtet e ortekëve mbeten të rrezikshme.
Më shumë se 30 ortekë u regjistruan në Tirol vetëm të mërkurën.
Tre persona u vranë në Tirol dhe në rajonin fqinj të Vorarlbergut.

