IDF godet pozicionet e Hezbollahut në Libanin lindor, të paktën gjashtë të vrarë
Ushtria izraelite tha sot ne mbremje se kishte kryer një seri sulmesh ajrore që synonin qendrat e komandës së Hezbollahut në Libanin lindor.
Agjencia Kombëtare e Lajmeve (NNA) shtetërore e Libanit raportoi se të paktën gjashtë persona ishin vrarë dhe 25 të tjerë ishin plagosur gjatë sulmeve.
Sipas NNA-së, avionët izraelitë kryen gjashtë sulme ajrore, përfshirë një që goditi një ndërtesë në periferi të qytetit Riyaq dhe një tjetër që goditi një ndërtesë në Baddanayel. Një bastisje e tretë shënjestroi një ndërtesë pranë Tamnin al-Tahta.
Ushtria izraelite tha se sulmet goditën vendet e përdorura nga militantët e Hezbollahut.
Ajo akuzoi Hezbollahun për përfshirjen sistematike të aseteve të saj brenda popullsisë civile.
Gjatë ditës, një dron izraelit goditi Ain al-Hilweh, kampin më të madh të refugjatëve palestinezë në Libanin jugor, duke vrarë të paktën dy operativë të Hamasit.
“Në përgjigje të shkeljeve të përsëritura të marrëveshjes së armëpushimit, IDF-ja goditi një qendër komande të Hamasit – nga e cila vepronin terroristët në zonën Ain al-Hilweh në Libanin jugor”, tha ushtria izraelite.
Lufta midis Izraelit dhe milicisë libaneze Hezbollah, e cila u intensifikua gjatë gjithë vitit 2024, u pasua nga një armëpushim i rënë dakord në nëntor të atij viti.
Sipas kushteve të marrëveshjes, Hezbollahut i kërkohet të dorezojë armët. Megjithatë, afati për çarmatimin e grupit përfundoi në fund të vitit të kaluar.
Pavarësisht armëpushimit, ushtria izraelite ka kryer sulme pothuajse të përditshme ndaj objektivave libanezë.
Ain al-Hilweh, në jug të vendit, është kampi më i madh i refugjatëve palestinezë në Liban, me afërsisht 80 000 banorë.
Shumica e banorëve janë refugjatë nga lufta e parë arabo-izraelite në vitin 1948 dhe pasardhësit e tyre.
Në të gjithë Libanin ka 12 kampe refugjatësh palestinezë.

