Nazmi Gripshi transferohet te Rubin Kazan, firmos deri në 2029-ën

Futbollisti shqiptar Nazmi Gripshi ka zyrtarizuar transferimin nga FC Astana te klubi rus Rubin Kazan, në një marrëveshje të konfirmuar nga vetë skuadra e re.

Sipas njoftimit zyrtar, klubi kazak ka pranuar ofertën prej 500 mijë eurosh për kartonin e mesfushorit 28-vjeçar, i cili ka nënshkruar kontratë afatgjatë deri në vitin 2029. Gripshi do të mbajë fanellën me numrin 11 te skuadra ruse.

Me këtë transferim, shtohet prania e futbollistëve shqiptarë te Rubin Kazan, ku aktivizohen edhe Mirlind Daku, Veldin Hoxha dhe Dardan Shabanhaxhaj.

Lëvizja vjen pas një sezoni pozitiv për Gripshin, i cili gjatë vitit të fundit spikati me paraqitjet e tij dhe mori edhe ftesën e parë nga Kombëtarja shqiptare.

Transferimi në kampionatin rus pritet t’i japë mesfushorit më shumë hapësira për t’u konsoliduar dhe për të forcuar pozitat në planet e trajnerit të përfaqësueses kuqezi, Sylvinho, për sfidat e ardhshme ndërkombëtare.