Si u bë Leonardo da Vinci pjesë e oborrit të Ludovico Sforza?
Në oborrin e ndritshëm të Ludovico Sforza, të njohur si “Il Moro”, arti nuk ishte zbukurim, por instrument prestigji dhe pushteti.
Milano e fundit të shekullit XV ishte një skenë ku rivalizonin piktorë, arkitektë, poetë dhe muzikantë, dhe duka, i etur për madhështi kulturore, kërkonte të mblidhte rreth vetes talentet më të spikatura të Italisë.
Në këtë klimë u shpall një konkurs muzikor, ai që do të spikaste mbi të tjerët do të hynte në shërbim të dukës. Nuk ishte një garë e zakonshme, por një provë virtuoziteti dhe shpikjeje, ku kërkohej jo vetëm zotërim teknik, por edhe frymë krijuese.

Mes konkurrentëve u paraqit edhe Leonardo da Vinci. I njohur sot si gjeni i pikturës dhe i shkencës, ai në atë kohë ishte ende në kërkim të vendit të vet në oborret princërore.
Ai nuk u paraqit me një instrument të zakonshëm, por me një harpë të sajuar prej tij, sipas disa burimeve, në formën e një koke kali, e punuar me finesë artistike dhe me një rezonancë të veçantë akustike. Instrumenti vetë ishte një deklaratë, muzika si inxhinieri, si skulpturë dhe si poezi e tingullit.

Kur Leonardo filloi të luante, oborri heshti. Ai interpretoi një këngë, tekstin dhe melodinë e së cilës i kishte kompozuar vetë. Zëri i harpës së tij, i pastër dhe i thellë, krijoi një atmosferë që thuhet se i la të pranishmit pa frymë. Konkurrentët, përballë këtij kombinimi mjeshtërie teknike dhe ndjeshmërie poetike, u tërhoqën si të mundur.
Kështu, Leonardo hyri në shërbim të Ludovikut jo si piktor, por si muzikant, si njeri i tingullit përpara se të bëhej njeri i “Darkës së Fundit”. Ky episod dëshmon një të vërtetë thelbësore për natyrën e tij, arti për Leonardon nuk kishte kufij disiplinorë. Muzika, piktura, mekanika dhe poezia ishin degë të së njëjtës pemë, kërkimit të harmonisë universale.
Përgatiti: Albert Vataj

