Festat kombëtare të Kuvajtit kremtohen edhe në Shqipëri

Në Tiranë, në një atmosferë solemne dhe plot ngrohtësi, Ambasada e Kuvajtit në Shqipëri organizoi një ceremoni për 65-vjetorin e Pavarësisë dhe 35-vjetorin e çlirimit të vendit.

Një përvjetor që për kuvajtianët nuk është thjesht datë kalendarike, por një moment i fortë identiteti, krenarie dhe reflektimi për rrugën që ka ndjekur vendi në këto gjashtë dekada e gjysmë.

Ngjyrat e flamurit kuvajtian, e zeza, e bardha, e gjelbra dhe e kuqja, dominonin ambientet. Pritja ishte organizuar me kujdes, duke treguar mikpritjen karakteristike të kulturës kuvajtiane, të njohur në mbarë botën arabe.

Këto pamje tregojnë më shumë sesa ngjyra; janë identitet, pjesë e mënyrës së jetës së kuvajtianëve, të cilët duket se u kushtojnë rëndësi të veçantë detajeve.

Në sallë, diplomatët, përfaqësues të institucioneve shqiptare, biznesmenë, përfaqësues të medias dhe miq të Kuvajtit ishin ftuar për të ndarë këtë ditë të rëndësishme.

Përfaqësuesit e ambasadës pritën përzemërsisht të ftuarit, me të cilët ndanë bindjen se e ardhmja do të jetë akoma edhe më e mirë.

Mirëseardhja u shpreh nga i ngarkuari me punë i Ambasadës së Kuvajtit në Shqipëri, Adnan Alghonaim.

“Kjo ngjarje e rëndësishme na kujton themelimin e shtetit tonë në vitin një mijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e një dhe fitoren mbi pushtimin në vitin një mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e një, një moment historik që dëshmoi guximin dhe vendosmërinë e popullit kuvajtian, si dhe mbështetjen e çmuar të miqve tanë ndërkombëtarë”.

Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Kuvajtit nisën shumë vite më parë dhe vazhdojnë të forcohen nga viti në vit. Kuvajti ka qenë një nga partnerët që ka mbështetur investime dhe projekte të rëndësishme në vendin tonë përmes fondeve zhvillimore, kredive të buta dhe programeve të bashkëpunimit.

“Marrëdhëniet mes Kuvajtit dhe Shqipërisë janë karakterizuar nga një histori e gjatë dhe e qëndrueshme që prej vitit 1968, gjatë së cilës dy vendet tona kanë punuar për forcimin e lidhjeve dypalëshe dhe zhvillimin e bashkëpunimit në fushat politike, ekonomike, kulturore dhe humanitare. Shteti i Kuvajtit vlerëson thellësisht qëndrimin e Shqipërisë gjatë Çlirimit të Kuvajtit në vitin 1991, përmes mbështetjes së koalicionit ndërkombëtar që çliroi vendin nga pushtimi irakian. Ky qëndrim historik përbën dëshmi të qartë të përkushtimit të Shqipërisë ndaj paqes, drejtësisë dhe solidaritetit ndërkombëtar”.

Sot, bashkëpunimi mes dy vendeve shtrihet në disa sektorë, si energjia, infrastruktura dhe turizmi, me potencial për ta vijuar edhe më tej.

 “Ne besojmë se ekziston një bazë solide për të forcuar më tej marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona mike, në shërbim të interesave të përbashkëta. Gjithashtu, ne vlerësojmë arritjet e Republikës së Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian dhe i urojmë Shqipërisë dhe popullit shqiptar më shumë prosperitet, zhvillim dhe përparim.

Të nderuar të pranishëm!

Shteti i Kuvajtit bashkëpunon me Republikën e Shqipërisë në disa fusha me interes të përbashkët, përfshirë shkëmbimin e vizitave të ndërsjella”.

Madje, i ngarkuari me punë i ambasadës ftoi bizneset nga Shqipëria dhe Kosova të investojnë në Kuvajt.

“Vizioni Kuvajt 2035 synon ta shndërrojë Shtetin e Kuvajtit në një qendër financiare dhe tregtare rajonale e globale, të udhëhequr nga sektori privat, duke arritur zhvillimin njerëzor dhe duke rritur konkurrueshmërinë dhe efikasitetin prodhues. Qeveria synon të sigurojë infrastrukturën e duhur, legjislacion modern dhe një klimë biznesi stimuluese, duke ruajtur vlerat kombëtare dhe identitetin shoqëror. Ky vizion synon gjithashtu tërheqjen e investimeve të huaja në Kuvajt, përfshirë investimet nga Shqipëria dhe Kosova”.

Pas fjalimeve, ceremonia vijoi me një program që solli elementë të kulturës kuvajtiane, por edhe biseda të ngrohta mes të pranishmëve. Festimi i 65-vjetorit të Pavarësisë së Kuvajtit në Tiranë ishte më shumë se një event; ishte një mesazh i qartë miqësie, një dëshmi e marrëdhënieve të qëndrueshme mes dy vendeve dhe një sinjal se potenciali për bashkëpunim është i madh.