MILANO 2026 – Ukraina e indinjuar pas ndalimit të sportistit që nderoi viktimat e luftës
Ukraina ka reaguar me zemërim ndaj vendimit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) për të ndaluar sportistin e skeletonit, një disiplinë sportive e Lojërave Dimërore Olimpike, Vladyslav Heraskevych, të garojë në këto lojëra për shkak të një mosmarrëveshjeje lidhur me helmetën e tij.
Heraskevych dëshironte të mbante një helmetë që nderonte sportistët e vrarë gjatë pushtimit rus, por IOC nuk lejon asnjë lloj mesazhi apo deklarate gjatë garave.
Palët nuk arritën një kompromis.
Në përgjigje, Ukraina i ka akorduar sportistit 27-vjeçar një nga dekoratat më të larta të vendit, Urdhrin e Lirisë.
”Lëvizja olimpike duhet të ndihmojë në ndalimin e luftërave”, shkroi sot presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në Telegram duke shtuar se lojërat duhet të përfaqësojnë drejtësinë dhe paqen.
Helmeta e Heraskevych-it përmban imazhe të rreth 20 sportistëve, përfshirë medalistë të Lojërave Olimpike Rinore, të cilët janë vrarë nga sulmet ruse.
Dizajni ishte menduar si një homazh për kolegët sportistë që kanë humbur jetën gjatë luftës.
Zelensky e falënderoi Heraskevych-in për qëndrimin e tij të qartë duke thënë se homazhi nuk shkel rregullat olimpike, por i kujton botës koston e luftës së Ukrainës për pavarësi.
Presidenti ukrainas kritikoi gjithashtu pjesëmarrjen e sportistëve rusë, duke deklaruar se ata duhet të përjashtohen për mbështetjen e luftës dhe pushtimit të territorit ukrainas nga Rusia.
”Ne jemi krenarë për Vladyslavin dhe veprimin e tij. Të kesh guxim vlen më shumë sesa të fitosh medalje”, tha Zelensky.
Edhe ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, shprehu zemërim ndaj vendimit të IOC.
”IOC ka ndaluar jo sportistin ukrainas, por reputacionin e vet. Brezat e ardhshëm do ta kujtojnë këtë si një moment turpi”, shkroi ai në platformën X.
Sipas tij, rreth 650 sportistë dhe trajnerë ukrainas janë vrarë dhe 800 objekte sportive janë dëmtuar që nga nisja e luftës nga Rusia afro katër vjet më parë

