HIJE DESTABILIZIMI NE BALLKAN! Serbia dhe Bosnje e Hercegovina vazhdojnë hetimet për kampet paramilitare ruse
Serbia dhe Bosnje e Hercegovina po hetojnë pretendime për kampe paramilitare të lidhura me shtetas rusë. Autoritetet dyshojnë se trajnimet kanë synuar destabilizimin e Moldavisë. Rusia mohon përfshirjen, ndërsa hetimet vazhdojnë në disa vende.
Serbia dhe Bosnje e Hercegovina po vazhdojnë hetimet lidhur me pretendimet për ekzistencën e kampeve paramilitare për trajnim luftarak dhe taktik, të cilat sipas autoriteteve moldaviane kanë pasur për qëllim nxitjen e trazirave në Moldavi.
Në Serbi, rasti lidhet me një kamp të zbuluar në shtator 2025 në një objekt hotelerie pranë lumit Drina, në perëndim të vendit.
Prokuroria në Shabac konfirmon se hetimet janë ende në zhvillim, ndërsa dy të dyshuarit janë marrë në pyetje dhe më pas janë liruar nga paraburgimi me masa të tjera sigurie. Ata dyshohen për organizim të pjesëmarrjes në konflikte të armatosura, vepër që dënohet deri në dhjetë vjet burg.
Sipas autoriteteve moldaviane, gjatë viteve 2024 dhe 2025 janë organizuar trajnime jashtë territorit të Moldavisë për përgatitjen e trazirave të dhunshme.
Një gjykatë në Kishinjev ka dënuar tre persona për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal, duke përmendur Bosnje e Hercegovinën si vend kryesor të trajnimeve, ndërsa Serbia si pikë tranziti dhe mbështetje logjistike.
Dokumentet gjyqësore përshkruajnë trajnime në zona të izoluara, që kanë përfshirë përdorimin e dronëve, zbulimin ajror dhe simulime të mjeteve shpërthyese. Prokuroria e Bosnje e Hercegovinës konfirmon se ka marrë dokumente nga Moldavia dhe se po i analizon ato.
Rusia ka mohuar çdo ndërhyrje në proceset zgjedhore të Moldavisë. Megjithatë, autoritetet moldaviane flasin për luftë hibride, përfshirë dezinformimin dhe mbështetjen për forca proruse.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka paralajmëruar për ndikimin rus në rajon. Hetimet mbeten të hapura dhe priten zhvillime të reja në muajt në vijim.

