NDALOHET “HELMETA E LUFTËS”/ Skeletisti ukrainas pretendon se IOC ndaloi kokoren me viktimat

Një skeletist ukrainas deklaron se Komiteti Olimpik Ndërkombëtar nuk e lejoi të garojë me një helmetë që përmbante imazhe të sportistëve të vrarë në luftën në Ukrainë. Sipas tij, vendimi është marrë duke u bazuar në rregullin olimpik që ndalon demonstrimet politike gjatë garave. Çështja ka ndezur debat për kufijtë mes neutralitetit sportiv dhe mesazheve humanitare.

Skeletisti ukrainas, Vladyslav Heraskevych ka akuzuar Komitetin Olimpik Ndërkombëtar se i ka ndaluar përdorimin e helmetës së tij, në të cilën paraqiten imazhe të sportistëve dhe qytetarëve të vrarë gjatë luftës në Ukrainë.

Sportisti 26-vjeçar, i cili ishte edhe flamurtari i delegacionit ukrainas në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Kortina 2026, e përdori helmetën gjatë një seance stërvitore në Cortina dhe kishte deklaruar më herët se synonte të mbante vëmendjen ndërkombëtare te konflikti në vendin e tij.

Sipas tij, përfaqësues të IOC-së i komunikuan se helmeta nuk lejohet gjatë stërvitjeve zyrtare dhe garave për shkak të rregullit 50.2 të Kartës Olimpike, i cili ndalon çdo formë propagande politike, fetare apo racore në ambientet olimpike.

Sportisti tha se shumë nga personat e paraqitur në helmetë janë sportistë që kanë humbur jetën në luftë, disa prej tyre edhe miq të tij, dhe e cilësoi vendimin si një moment që “i thyen zemrën”.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar nuk e ka konfirmuar publikisht ndalimin, por ka bërë të ditur se nuk ka marrë kërkesë zyrtare për përdorimin e helmetës në garë, e cila pritet të nisë më 12 shkurt.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky falënderoi sportistin për “kujtesën që i bën botës për çmimin e luftës”, ndërsa debati mbi kufirin mes neutralitetit olimpik dhe mesazheve humanitare pritet të vazhdojë gjatë gjithë Lojërave.