Ndarje në horizont? Cardi B dhe Stefon Diggs nuk ndiqen më në rrjetet sociale

Cardi B dhe ylli i NFL-së, Stefon Diggs, kanë ndezur thashethemet për një ndarje të mundshme, vetëm pak orë pas përfundimit të Super Bowl LX. Fansat vunë re se çifti nuk e ndjek më njëri-tjetrin në rrjetet sociale, një detaj që ka mjaftuar për të ngritur pikëpyetje mbi statusin e marrëdhënies së tyre.

Ky veprim u vu re vonë të dielën në mbrëmje, menjëherë pas humbjes së New England Patriots përballë Seattle Seahawks me rezultatin 29–13. Koha e zhvillimeve është konsideruar veçanërisht delikate për Diggs, i cili përjetoi një zhgënjim të madh sportiv në një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij.

Dyshimet u shtuan edhe më shumë kur Cardi B u pa duke u larguar herët nga Levi’s Stadium në Santa Clara, Kaliforni. Artistja ndau një video nga makina e saj, ku shihej duke kënduar këngë të Bad Bunny, pak minuta pas përfundimit të shfaqjes së pjesës së parë të Super Bowl-it.

Cardi B ishte një nga personazhet e njohur që pati një paraqitje të shkurtër gjatë performancës spektakolare të Bad Bunny, krahas emrave si Pedro Pascal, Karol G, Jessica Alba dhe Alix Earle.

Shenjat e para të një krize u vunë re edhe përpara finales, kur një gazetar i ESPN e pyeti Cardi B nëse kishte një mesazh motivues për Diggs. Përgjigjja e saj e shkurtër, “Good luck”, dhe largimi i menjëhershëm u interpretuan nga publiku si një distancim mes çiftit.

Vetëm dy javë më parë, Cardi B ishte e pranishme në finalen e Konferencës AFC, ku Patriots mposhtën Denver Broncos me rezultatin 10–7. Pas asaj fitoreje, ajo festoi në fushë së bashku me Diggs dhe lojtarët e tjerë, duke u shprehur plot entuziazëm: “Po shkojmë në Super Bowl”.

Nga ana e tij, Stefon Diggs, 32 vjeç, foli me emocion pas kualifikimit, duke treguar për rrugëtimin e gjatë drejt finales. “Kam luftuar për shumë vite për këtë moment. Do të thotë gjithçka për mua. Kam luajtur futboll që kur isha 5 vjeç dhe gjithmonë kam ëndërruar të fitoj Super Bowl-in,” u shpreh ai për mediat.

Çifti e bëri publike lidhjen e tyre në maj të vitit të kaluar, kur u shfaqën së bashku në një ndeshje të NBA-së në Madison Square Garden. Në shtator të vitit 2025, Cardi B njoftoi se ishte shtatzënë, ndërsa në nëntor ata mirëpritën një djalë, fëmijën e tyre të parë së bashku.