"Absolutisht e tmerrshme"/ Trump kritikon shfaqjen e Bad Bunny: Një fyerje për Amerikën
Presidenti amerikan Donald Trump reagoi ashpër ndaj performancës së Bad Bunny gjatë shfaqjes së pjesës së parë të Super Bowl-it, duke e cilësuar atë si një nga më të këqijat ndonjëherë.
Pas përfundimit të performancës së këngëtarit portorikan, Trump publikoi një postim në platformën e tij Truth Social, të dielën në mbrëmje, ku kritikoi në tërësi traditën e shfaqjeve të Super Bowl-it.
“Shfaqja e pjesës së parë të Super Bowl-it është absolutisht e tmerrshme, një nga më të këqijat! Nuk ka asnjë kuptim, është një fyerje për madhështinë e Amerikës dhe nuk përfaqëson standardet tona të suksesit, kreativitetit apo përsosmërisë,” shkroi Trump më 8 shkurt.
Trump dukej se kishte në shënjestër drejtpërdrejt edhe Bad Bunny, i cili interpretoi kryesisht në gjuhën spanjolle. “Askush nuk kupton asnjë fjalë nga ajo që thotë ky person dhe kërcimi është i neveritshëm, veçanërisht për fëmijët e vegjël që po e shikojnë në të gjithë SHBA-në dhe në mbarë botën,” shtoi ai. “Kjo ‘shfaqje’ është thjesht një ‘shuplakë në fytyrë’ për vendin tonë.”
Në fund të performancës së tij, Bad Bunny tha “God Bless America” dhe më pas përmendi me radhë të gjitha vendet e Amerikës së Veriut, Jugore dhe Latine, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë. Pas tij dhe balerinëve, u shfaq një billboard gjigant me mesazhin: “E vetmja gjë më e fuqishme se urrejtja është dashuria.”
Shfaqja e Bad Bunny u shoqërua nga një listë e gjatë artistësh surprizë, përfshirë Lady Gaga dhe Ricky Martin, si dhe paraqitje nga Karol G, Cardi B, Jessica Alba, Alix Earle, Pedro Pascal dhe Young Miko. Gjatë spektaklit u realizua edhe një martesë e vërtetë për një çift, fansa të këngëtarit.
Që në momentin kur Bad Bunny u shpall si artisti kryesor i Super Bowl-it, Trump dhe figura të tjera republikane reaguan me zemërim. Madje, një peticion për ta zëvendësuar atë me legjendën e muzikës country George Strait mori mbështetje të gjerë.
Paralelisht, një shfaqje alternative e organizuar nga grupi konservator Turning Point USA, me Kid Rock, Brantley Gilbert, Lee Brice dhe Gabby Barrett, u transmetua live dhe arriti miliona shikime, duke grumbulluar rreth 19 milionë klikime në YouTube deri të hënën në mëngjes.

