Pas humbjes në Super Bowl, Cardi B dhe Diggs drejt ndarjes?
Cardi B dhe Stefon Diggs, kanë nxitur spekulime për një ndarje të mundshme pas Super Bowl LX, pasi fansat vunë re se çifti nuk e ndjek më njëri-tjetrin në rrjetet sociale.
Lëvizja erdhi vonë të dielën në mbrëmje, vetëm pak orë pasi New England Patriots humbën finalen e Super Bowl-it ndaj Seattle Seahawks me rezultatin 29–13.
Koha e ngjarjes u konsiderua veçanërisht e vështirë për Diggs, i cili përjetoi një humbje të rëndë sportive në një nga momentet më të mëdha të karrierës së tij.
Dyshimet për ndarje u forcuan edhe më shumë pasi Cardi B, emri i vërtetë i së cilës është Belcalis Marlenis Almánzar, u pa duke u larguar herët nga stadiumi Levi’s në Santa Clara, Kaliforni. Artistja publikoi një video nga makina e saj, ku shihej duke kënduar këngë të Bad Bunny, vetëm pak pas përfundimit të shfaqjes së pjesës së parë të Super Bowl-it.
Cardi B ishte një nga figurat e njohura që bëri një paraqitje të shkurtër gjatë performancës madhështore të Bad Bunny, së bashku me emra si Pedro Pascal, Karol G, Jessica Alba dhe Alix Earle.
Sinjalet e para të një krize në marrëdhënie u shfaqën më herët, kur një gazetar i ESPN e pyeti Cardi B nëse kishte ndonjë mesazh motivues për Diggs përpara finales. Reagimi i saj i shkurtër, “Good Luck”, dhe largimi i menjëhershëm, u interpretua nga shumë si një shenjë ftohjeje mes çiftit.
Vetëm dy javë më parë, Cardi kishte qenë e pranishme në finalen e Konferencës AFC, ku Patriots mposhtën Denver Broncos me rezultatin 10–7. Pas fitores, ajo festoi në fushë së bashku me Diggs dhe lojtarët e tjerë, duke deklaruar me entuziazëm: “Po shkojmë në Super Bowl”.
Stefon Diggs, 32 vjeç, u shfaq emocional pas asaj fitoreje, duke folur për rrugëtimin e gjatë drejt finales. “Kam luftuar fort për shumë vite. Do të thotë gjithçka për mua. Kam luajtur futboll që kur isha 5 vjeç dhe gjithmonë kam ëndërruar të bëhem kampion i Super Bowl-it”, u shpreh ai për mediat.
Çifti e bëri publike lidhjen e tyre në maj të vitit të kaluar, kur u panë së bashku në një ndeshje të NBA-së në Madison Square Garden. Në shtator 2025, Cardi B njoftoi se ishte shtatzënë dhe në nëntor çifti mirëpriti një djalë, fëmija i parë i përbashkët i artistes me Diggs.

