Trump kërcënon me tarifa partnerët tregtarë të Iranit

Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar me vendosjen e tarifave ndëshkuese ndaj partnerëve tregtarë të Iranit, në mes të tensioneve me këtë vend.

Në një urdhër ekzekutiv të lëshuar dje, presidenti amerikan deklaroi se tarifa shtesë “mund të vendosen mbi mallrat e importuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që janë produkte të çdo vendi që drejtpërdrejt ose tërthorazi blen, importon ose siguron në çfarëdo mënyre mallra apo shërbime nga Irani”.

Presidenti Trump nuk përmendi vende konkrete, por përmendi si shembull një normë tarife prej 25 për qind.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, dekreti krijon një mekanizëm që i hap rrugë vendosjes së këtyre detyrimeve shtesë ndaj partnerëve tregtarë të Iranit.

Me kërcënimin për tarifa ndëshkuese, Trump po rrit presionin ndaj udhëheqjes iraniane.

“Presidenti po e mban Iranin përgjegjës për përpjekjet e tij për të zhvilluar kapacitete bërthamore, për mbështetjen e terrorizmit, zhvillimin e raketave balistike dhe destabilizimin rajonal që rrezikon sigurinë, aleatët dhe interesat amerikane”, thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.

Trump ka kërcënuar vazhdimisht udhëheqjen në Teheran, duke përmendur represionin e ashpër ndaj protestuesve gjatë protestave masive të fundit, si edhe programin e diskutueshëm bërthamor të Iranit.