“Epstein” edhe në Hollywood: Mesazhe që përmendin Jay-Z, DiCaprio dhe Clooney
Publikimi i dokumenteve të reja mbi Jeffrey Epstein, nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, ka shkaktuar reagime të forta jo vetëm në politikë, por edhe në botën e artit dhe argëtimit.
Në materialet e bëra publike, përfshihen email-e, mesazhe dhe dokumente ku përmenden emra të njohur të muzikës dhe kinemasë botërore.
Dokumentet nuk përmbajnë akuza penale ndaj këtyre figurave, por tregojnë kontakte, përmendje apo referenca në komunikimet e Epstein.
Jay-Z dhe dëshmia e një viktime anonime
Emri i reperit dhe producentit Jay‑Z përmendet në dëshminë e një viktime anonime, e cila ka deklaruar se ishte droguar dhe më pas abuzuar seksualisht. Sipas rrëfimit të saj, kur rifitoi vetëdijen, pa në dhomë Jay-Z dhe producentin e filmave Harvey Weinstein, i cili është dënuar për krime seksuale. Ky informacion është publikuar nga media greke Protothema.
Pas publikimit të këtyre dokumenteve, mediat raportojnë për ndikim të ndjeshëm në imazhin publik të Jay-Z dhe bashkëshortes së tij, Beyoncé. Çifti mungoi në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Grammy, ndërsa ndjekësit e tyre në rrjetet sociale kanë shënuar rënie të ndjeshme.
Leonardo DiCaprio në email-et e Epstein
Në dokumente përmendet gjithashtu aktori i njohur Leonardo DiCaprio, emri i të cilit shfaqet disa herë në komunikimet e Epstein.
Në një email të vitit 2009 drejtuar politikanit britanik Peter Mandelson, Epstein shkruante për mundësinë e përdorimit të mbështetjes së DiCaprio-s për promovimin e produkteve jo-amerikane në tregje ndërkombëtare.
Email-e të tjera, të shkëmbyera mes Epstein dhe autorit Deepak Chopra, përmendin organizimin e një takimi mes DiCaprio-s dhe regjisorit Woody Allen, i cili sipas dosjeve të mëparshme, ishte pjesë e rrethit shoqëror të Epstein.
Përmendja e George Clooney-t
Në komunikime të tjera, ish-ambasadori britanik Peter Mandelson përmend edhe aktorin George Clooney. Në një dialog të vitit 2010, Epstein i referohet pranisë së tij në Kopenhagen, ndërsa Mandelson i përgjigjet me një koment që përmend Clooney-n, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Pa akuza penale ndaj figurave publike
Autoritetet amerikane theksojnë se përmendja e emrave në dokumente nuk nënkupton automatikisht përfshirje penale. Deri më tani, nuk ka prova apo akuza zyrtare ndaj figurave të përmendura në këto komunikime.
Jeffrey Epstein u deklarua fajtor në vitin 2008 për vepra penale që lidhen me prostitucionin e të miturve dhe u arrestua sërish në vitin 2019 për trafikim seksual.
Ai u gjet i vdekur në qelinë e tij në një burg në Nju Jork, vdekje që autoritetet amerikane e cilësuan si vetëvrasje.


