Përfundojnë bisedimet SHBA-Iran, Araghchi: Ishte një fillim i mirë
Negociatorët iranianë dhe amerikanë po kthehen në vendet e tyre të origjinës për konsultime, pas bisedimeve në Muscat të ndërmjetësuara nga Omani, raportoi sot media shtetërore iraniane.
“Ishte një fillim i mirë”, tha ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi për televizionin shtetëror. “Ne jemi në procesin e ndërtimit të besimit”, shtoi ai.
Kur u pyet nëse dhe kur do të vazhdonin bisedimet, Araghchi nuk dha një përgjigje.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Esmail Baghaei shkroi në X se vendimi për raundet e mëtejshme të negociatave do të merrej në konsultim me kryeqytetet përkatëse.
Ministri i Jashtëm i Omanit, Badr al-Busaidi i përshkroi bisedimet si “shumë serioze”.
Al-Busaidi tha se bisedimet kishin për qëllim të sqaronin pozicionet e të dyja palëve dhe të identifikonin pikat e mundshme fillestare për progres dhe ishin planifikuar të vazhdonin “në kohën e duhur”.
Fillimisht, nuk pati asnjë deklaratë nga SHBA-ja pas takimit.
Ministri i Jashtëm i Omanit tha se al-Busaidi ishte takuar veçmas me Araghchi dhe me delegacionin amerikan – të udhëhequr nga i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff dhe dhëndri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner.
“Konsultimet u përqendruan në krijimin e kushteve të përshtatshme për rifillimin e negociatave diplomatike dhe teknike”, tha ministria e Omanit.
Pjesëmarrja e admiralit Brad Cooper, komandantit të përgjithshëm të forcave të armatosura amerikane në rajon, u pa si një shfaqje fuqie për të rritur presionin në Iran, sipas portalit online “Nour News”.

