Tragjedi në Ukrainën lindore/ Droni godet autobusin, mbeten 12 viktima dhe përfundojnë të pl*gosur shtatë persona

Të paktën 12 persona kanë humbur jetën dhe shtatë të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi me dron rus pranë një autobusi në Ukrainën lindore, kanë bërë të ditur autoritetet lokale.

Sulmi ndodhi në rrethin e Pavlohradit, sipas shefit të administratës ushtarake rajonale, Oleksandr Ganzha.

Në një njoftim në Telegram, Ganzha tha se autoritetet janë duke hetuar rrethanat e ngjarjes, ndërsa në rajon ishte shpallur alarm ajror në momentin e sulmit.

Kompania energjetike DTEK konfirmoi se autobusi po transportonte punëtorët e saj nga një minierë.

Ndërkohë, sulme të tjera me dron janë raportuar edhe në zona të ndryshme të vendit.

Të paktën nëntë persona u plagosën herët të dielën, përfshirë gjashtë në një maternitet në Zaporizhzhia, ku dy gra po i nënshtroheshin ekzaminimeve mjekësore në momentin e goditjes.

Autoritetet njoftuan gjithashtu se tre persona janë vrarë në sulme të ndara në rajonin jugor të Khersonit dhe në qytetin qendror të Dnipros.