Ngushtica e Hormuzit "jashtë" axhendës së stërvitjes së Gardës Revolucionare të Iranit
Forcat detare të Gardës së Revolucionit Islamik të Iranit nuk kanë asnjë plan për të zhvilluar stërvitje ushtarake me zjarr të vërtetë në Ngushticën e Hormuzit, pavarësisht raportimeve të publikuara më herët gjatë kësaj jave nga disa media, deklaroi një zyrtar iranian për agjencinë Reuters.
Mohimi vjen pasi televizioni shtetëror iranian Press TV kishte raportuar të enjten se Garda e Revolucionit do të zhvillonte stërvitje në Ngushticën e Hormuzit më 1 dhe 2 shkurt.
“Nuk ka pasur asnjë plan për zhvillimin e stërvitjeve ushtarake nga Garda në atë zonë, dhe asnjë njoftim zyrtar nuk është bërë në këtë drejtim. Ka pasur vetëm raportime mediatike, të cilat ishin të pasakta”, tha zyrtari iranian.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga rrugët më strategjike detare në botë për transportin e naftës, dhe çdo zhvillim ushtarak në këtë zonë ngjall shqetësim ndërkombëtar.
