Virusi që vr*t 75% të të prekurve, Dollenberg tregon nëse rrezikojmë një pandemi të re pas Covid

Shqetësimi për virusin Nipah është rritur globalisht, veçanërisht pas paralajmërimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për një shkallë vdekshmërie deri në 75% te personat e prekur. Megjithatë, pavarësisht shifrave alarmante, rreziku për një pandemi të re globale duket i ulët. Këtë e ka konfirmuar në "Ora News", Aurora Dollenberg, mjeke dhe presidente e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Europë.

Sipas doktoreshës Dollenberg, virusi Nipah nuk ka potencialin për t'u përhapur me shpejtësinë e COVID-19 apo gripit, pasi nuk transmetohet përmes rrugëve ajrore. Kjo e bën të pamundur infektimin e një numri të madh njerëzish në një kohë të shkurtër, duke përjashtuar mundësinë e një pandemie të ngjashme me atë që kaluam.

Megjithatë, rreziku qëndron te mënyrat e tij të transmetimit. Ndryshe nga COVID-19, që transmetohej vetëm nga njeriu te njeriu, Nipah ka një rrugë të dyfishtë.

Ai mund të kalojë te njerëzit nga kafshët e infektuara, ku burim kryesor janë lakuriqët e natës dhe derrat. Kjo rrit rrezikun e infektimit përmes konsumit të ushqimeve të kontaminuara. Për këtë arsye, autoritetet kanë shtuar kontrollet ndaj produkteve ushqimore me origjinë nga India, ku virusi është aktiv.

Sipas Dollenberg, ushqimet që kalojnë doganat, veçanërisht frutat ekzotike dhe produktet e mishit, po kontrollohen dyfish për të parandaluar përhapjen përmes kësaj rruge.

Një tjetër sfidë është diagnostikimi i hershëm, pasi simptomat fillestare janë pothuajse identike me ato të gripit të zakonshëm.

Në ditët e para, të prekurit shfaqin temperaturë të lartë, vështirësi në frymëmarrje, kollë dhe dobësi të përgjithshme trupore. Situata bëhet problematike pas javës së parë, kur virusi mund të shkaktojë ndërlikime të rënda, përfshirë humbje të vetëdijes dhe dëmtime neurologjike.

"Duhet ta theksojmë që në fillim që edhe pse virusi i Nipahit ka një vdekshmëri shumë të lartë, siç e ka paralajmëruar OBSH-ja, pra që 75% është mortaliteti, gjë që është alarmante në vetvete, por duhet të nënvizojmë që nuk ka rrezik për një pandemi të dytë.

Ky virus nuk e ka potencialin për t'u përhapur shumë shpejt siç e ka pasur COVID-i ose siç e ka dhe gripi, sepse nuk transmetohet me rrugë ajrore për duke infektuar në një kohë të shkurtur një numër të lartë të qytetarëve.

Kjo mundësi është e përjashtuar tek virusi i Nipahit.

Edhe pse Nipahi ka dy rrugë transmetimi, dyfish më shumë se sa ç'e ka pasur COVID-i, pra te COVID-i kemi pasur transmetim vetëm midis njerëzve, ndërsa Nipahi ka mundësinë edhe nga kafshët e infektuara, siç është sidomos lakuriqi i natës dhe derri, mund t'ia kalojë edhe ë pacientëve njerëz.

Pra, këtu rritet çikë më shumë rreziku ku bëhet fjalë për ushqimet.

Çdo gjë që vjen nga India, momentalisht, jo vetëm tek kontrollet nëpër aeroporte por dhe ushqimet që kalojnë doganën që me origjinë Indinë, kontrollohen dyfish, sidomos frutat ekzotike, ushqimet e mishit, pikërisht nga rreziku që edhe përmes ushqimeve mund të kemi një infektim.

Në ditët e parë të infektimit është një vështirësi e madhe për ta diferencuar nga gripi i zakonshëm sepse kemi pothuajse të njëjtat simptoma.

Pra, edhe Nipahi fillon me temperaturë të lartë, me marrje fryme, ndonjëherë me një kollë, me këputje të përgjithshme të trupit dhe ndryshime të tensionit të gjakut. Problematike bëhet gjithmonë pasi kalon java e parë, ku derisa të kemi humbje vetëdije dhe ndryshime neurologjike me insulte cerebrale e të tjera te pacientët", u shpreh Dollenberg.