MELANIA NË KINEMA! Premiera e filmit, rrëfimi kinematografik i Zonjës së Parë! Një histori përpara dhe pas Presidencës së Donald Trump

Filmi Melania sjell në ekran një portret krijues dhe intim të zonjës së parë, duke ndriçuar rolin e saj në prapaskenë dhe rikthimin e familjes Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Të premten u shfaq premiera e filmit Melania, një projekt kinematografik i ndërtuar mbi jetën e Melania Trump, rolin e saj përpara Presidencës, gjatë viteve në Shtëpinë e Bardhë dhe rikthimin e familjes Trump në pushtet pas zgjedhjeve të vitit 2024.

Filmi u prezantua fillimisht të enjten mbrëma në një premierë private të mbajtur në Qendra Kennedy në Uashington, ku morën pjesë figura të larta publike, përfaqësues të administratës dhe të mediave.

Në fjalën e saj para të pranishmëve, Melania Trump e përshkroi projektin jo si një dokumentar klasik, por si një rrëfim krijues dhe personal, që synon të ofrojë perspektiva të reja mbi një periudhë kyçe të jetës së saj.

Shfaqja e parë u mbajt në teatrin e operës së Qendrës Kennedy, në prani të anëtarëve të administratës dhe të ftuarve të përzgjedhur. Zonja e parë theksoi se filmi sjell momente intime dhe reflektuese, duke ndriçuar rolin e saj publik dhe privat në një kohë ndryshimesh të mëdha politike dhe personale.

Melania është financuar dhe shpërndarë nga Amazon MGM Studios, përmes një marrëveshjeje rekord prej 40 milionë dollarësh. Filmi dokumenton 20 ditët përpara inaugurimit të Donald Trump pas zgjedhjeve të vitit 2024 dhe përfshin pamje nga përgatitjet, takimet dhe ngjarjet zyrtare që paraprinë rikthimin e tij në Presidencë. Prodhuesit kanë vënë theksin te aksesi i jashtëzakonshëm në prapaskenë, duke shfaqur momente që zakonisht mbeten jashtë syrit publik.

Premiera private u shoqërua me një “black carpet”, një alternativë simbolike ndaj tapetit të kuq, e kuruar sipas estetikës së filmit. Melania Trump u shfaq me një kostum të zi Dolce & Gabbana, të kombinuar me stilettos të zeza Christian Louboutin, ndërsa Donald Trump zgjodhi një kostum blu klasik, duke reflektuar një imazh formal dhe të koordinuar për eventin. Të ftuarit e tjerë, përfshirë figura të emëruara të administratës dhe personalitete publike, ndoqën një kod elegant veshjeje me nuanca të errëta dhe ngjyra të qeta.

Pas premierës private, filmi Melania nisi shfaqjen për publikun e gjerë në kinema më 30 janar, fillimisht në Shtetet e Bashkuara dhe më pas edhe në vende të tjera. Projekti pritet të tërheqë vëmendje të gjerë, si një rrëfim i rrallë dhe i pazakontë mbi përvojën e një zonje të parë në detyrë dhe rolin e saj në një moment vendimtar të historisë politike amerikane.