DANO I PËRGJIGJET TARANTINOS! Aktori thyen heshtjen pas kritikave të ashpra të regjisorit

Aktori Paul Dano ka reaguar për herë të parë pas kritikave të forta të regjisorit Quentin Tarantino ndaj rolit të tij në filmin “There Will Be Blood”. Pa iu përgjigjur drejtpërdrejt Tarantinos, Dano falënderoi publikisht kolegët që e mbështetën, ndërsa komentet e Tarantinos shumë aktorë të njohur i cilësuan fyese dhe sulm të padrejtë.

Aktori amerikan Paul Dano ka reaguar publikisht për herë të parë pas kritikave të ashpra të regjisorit Quentin Tarantino, i cili e quajti performancën e tij në filmin “There Will Be Blood” si “pikën e dobët” të veprës.

Tarantino, gjatë një interviste në një podcast, deklaroi se filmi do të ishte ndër më të preferuarit e tij nëse nuk do të ishte për rolin e Dano-s, duke e përshkruar aktorin si “të dobët dhe të parëndësishëm”.

Gjatë një shfaqjeje përvjetore të filmit “Little Miss Sunshine” në Festivalin e Filmit Sundance, ai u pyet nga gazetarët për deklaratat e Tarantinos.

Pa hyrë në polemikë, aktori tha se ishte mirënjohës për mbështetjen që kishte marrë nga kolegët dhe publiku, duke theksuar se kjo e kishte lehtësuar situatën për të, për të mos dalë në një reagim.

Pas kritikave, shumë figura të njohura të kinemasë dolën në mbrojtje të Dano-s. Aktorja Toni Collette, kolege e tij në “Little Miss Sunshine”, reagoi ashpër ndaj Tarantinos, ndërsa Ben Stiller e quajti Dano-n një aktor të shkëlqyer. Edhe Reese Witherspoon e përshkroi atë si një artist shumë të talentuar dhe një njeri të respektueshëm.

Në mbështetje të tij u shpreh edhe George Clooney, i cili deklaroi se nuk i pëlqen të shohë aktorë të sulmuar publikisht dhe se do të ishte i nderuar të punonte me Dano-n.

Regjisorët e “Little Miss Sunshine” e cilësuan qëndrimin e Tarantinos si të turpshëm dhe shtuan se reagimi i madh në mbrojtje të Dano-s tregon sa i vlerësuar është ai në industri.