VIDEO/ Kishës Ortodokse i rikthehen 10 ikona të vjedhura nga kisha “Fjetja e Shën Mërisë”
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, priti kryepeshkopin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Joanin.
“Falë një operacioni të suksesshëm të Policisë së Shtetit dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional, u bë i mundur shpëtimi nga trafikimi i pasurive me vlera kulturore kombëtare”, tha ministri gjatë takimit duke shpjeguar më tej se, ekspertët identifikuan 10 ikona të vjedhura nga kisha “Fjetja e Shën Mërisë” në Labovën e Kryqit, të cilat po i rikthehen Kishës Ortodokse pas 14 vitesh mungesë.
Ministri Gonxhja theksoi se, kthimi i këtyre pasurive kulturore është shembull domethënës që dëshmon se sa jetik është regjistrimi i pasurive kulturore si mjeti i vetëm dhe i besueshëm për identifikimin e origjinës së tyre, në rastet kur ato rrezikojnë të trafikohen apo humbasin.

“Ky rikthim nuk është vetëm një akt ligjor, por një akt drejtësie historike dhe shpirtërore”, tha Gonxhja.
Ministri siguroi se do të vijojë bashkëpunimi me Policinë e Shtetit, me kryepeshkopin Joan dhe të gjitha komunitetet e tjera fetare, me qëllim gjetjen dhe rikthimin e objekteve të tjera të deklaruara të humbura, në një angazhim të pa kompromis për mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore.

Kryepeshkopit Joan falënderoi të gjithë ata njerëz që i gjetën dhe i mblodhën 10 ikona shumë të bukura dhe shumë të rëndësishme për historinë tonë. Ai shprehu mirënjohjen ndaj ministrit, i cili pati angazhimin dhe dëshirën për t’ia kthyer përsëri Kishës Ortodokse, këto ikona.
“Ne jemi të gjithë të angazhuar për ta mbrojtur këtë kulturë e këtë identitet dhe kjo është një nga pasaportat tona edhe për identitetin tonë evropian, e të kulturës evropiane”, tha kryepeshkopi Joan.

