MEKSIKA KËRKON BTS / Presidentja Sheinbaum i kërkon Koresë së Jugut më shumë koncerte

Presidentja e Meksikës i ka kërkuar homologut të saj koreano-jugor shtimin e koncerteve të grupit BTS në vend. Kërkesa vjen pas interesit të jashtëzakonshëm për turneun e rikthimit të grupit pas katër vitesh pauzë. Tre koncertet në Mexico City u shitën për pak minuta. Autoritetet kanë nisur edhe hetime për rritjen abuzive të çmimeve të biletave.

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, ka ndërhyrë personalisht për të kërkuar më shumë koncerte të grupit BTS në vendin e saj, pas kërkesës së jashtëzakonshme për biletat e turneut të rikthimit të grupit koreano-jugor.

Ajo deklaroi se i ka dërguar një letër presidentit të Koresë së Jugut, duke shpresuar në një përgjigje pozitive për shtimin e datave të reja në Meksikë.

BTS do të mbajë tri koncerte në Mexico City gjatë muajit maj, si pjesë e turneut botëror me 79 data, i pari pas një pauze katërvjeçare. Sipas mediave lokale, biletat u shitën në më pak se 40 minuta, ndërsa rreth një milion të rinj konkurruan për vetëm 150 mijë bileta.

Situata ka shkaktuar reagime të forta nga fansat, të cilët kanë akuzuar Ticketmaster dhe platformat e rishitjes për përdorimin e çmimeve dinamike dhe për rritje abuzive të kostos së biletave.

Në platformën zyrtare, çmimet varionin nga 1,800 deri në 17,800 peso, ndërsa në tregun e rishitjes ato arritën deri në 92,100 peso.

Autoriteti meksikan për mbrojtjen e konsumatorit ka ndëshkuar disa platforma për praktika të padrejta dhe mashtruese gjatë procesit të shitjes.

Turneu i BTS do të nisë në prill në Korenë e Jugut dhe do të vijojë në Azi, Evropë dhe Amerikë dhe pritet të fitohet mbi një miliard dollarë nga koncertet, shitja e albumeve, produktet dhe të drejtat tregtare.