HYROX QË PO “ÇMEND” TË RINJTË! Gara e fitnesit të kombinuar që po kthehet në stil jete për Gen Z
Hyrox, gara që kombinon vrapimin me ushtrime force, po shndërrohet në një fenomen global mes brezit të ri. Vetëm këtë vit, rreth 1.3 milionë persona pritet të marrin pjesë në evente në mbarë botën. Rrjetet sociale kanë luajtur rol kyç në popullaritetin e saj, duke e kthyer pjesëmarrjen në një formë identiteti dhe stili jetese. Por krahas entuziazmit, rriten edhe kostot për ata që e ndjekin këtë trend.
Hyrox është kthyer në një nga garat më të ndjekura të fitnesit në botë, veçanërisht nga të rinjtë e brezit Millennials dhe Gen Z.
Gara përfshin tetë kilometra vrap, të ndërthurura me ushtrime të forta fizike si, tërheqje slitash dhe vozitje në ergometër.
Formati i njëjtë në çdo garë e bën konkurrencën më të fortë, jo vetëm me të tjerët, por edhe me vetveten.
Pjesëmarrësit nuk kursejnë as kohë dhe as para. Disa prej tyre udhëtojnë në disa shtete për të marrë pjesë në gara, duke shpenzuar qindra apo mijëra euro për bileta, transport, hotele dhe pajisje sportive.
Një konkurrente britanike tregon se ka shpenzuar deri në 2 mijë paund për një event të vetëm, ndërsa të tjerë thonë se çdo fundjavë gare kushton mes 500 dhe 1 mijë paund.
Për shumë të rinj, Hyrox nuk është thjesht sport, por mënyrë jetese. Pushimet kthehen në “fitness holidays”, ndërsa shoqëria dhe rrethi social lidhen gjithnjë e më shumë me palestrën dhe garat. Sipas ekspertëve, ky trend reflekton një ndryshim kulturor, ku aktiviteti fizik është pjesë e identitetit personal.
Megjithatë, specialistët paralajmërojnë për rrezikun e mbingarkesës fizike dhe obsesionit me përmirësimin e rezultateve. Edhe pse gara konsiderohet e sigurt për fillestarët, theksohet rëndësia e ekuilibrit dhe kujdesit shëndetësor.
Pavarësisht kostove dhe kritikave, Hyrox vazhdon të rritet me shpejtësi, duke u kthyer në simbolin e një brezi që zgjedh palestrën dhe garën përpara jetës së natës.

