SHUHET BASISTI LEGJENDAR I SCORPIONS/ Francis Buchholz u nda nga jeta në moshën 71-vjeçare nga k*nceri

Francis Buchholz, basisti historik i grupit Scorpions, ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare pas një beteje me kancerin. Ai ishte pjesë e periudhës më të suksesshme të grupit gjerman, duke luajtur në disa nga hitet më të njohura të rock-ut botëror.

Bota e muzikës rock ka humbur një nga figurat më të rëndësishme të saj. Francis Buchholz, basisti i grupit legjendar Scorpions, është ndarë nga jeta në moshën 71-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.

Familja e tij njoftoi lajmin përmes rrjeteve sociale, duke falënderuar fansat për dashurinë dhe mbështetjen që i kanë dhënë gjatë gjithë karrierës së tij.

I lindur në vitin 1954 në Gjermaninë Perëndimore, Buchholz iu bashkua Scorpions në vitin 1973 dhe mbeti pjesë e formacionit më të famshëm të grupit deri në vitin 1992.

Ai kontribuoi në albumet që e çuan grupin drejt famës botërore, përfshirë “Lovedrive”, “Blackout”, “Love at First Sting” dhe “Crazy World”.

Me basin e tij janë regjistruar këngë ikonike si “Rock You Like a Hurricane”, “Still Loving You” dhe “Wind of Change”, kjo e fundit e kthyer në himn të ndryshimeve politike në Evropë në fillim të viteve ’90.

Suksesi i këtyre projekteve e renditi Scorpions mes grupeve më të mëdha të hard rock-ut në botë.

Pas largimit nga Scorpions, Buchholz vazhdoi aktivitetin muzikor me projekte të tjera, përfshirë bashkëpunimin me Michael Schenker. Përveç muzikës, ai ishte edhe inxhinier mekanik dhe themelues i një kompanie pajisjesh skenike.

Francis Buchholz lë pas bashkëshorten dhe tre fëmijët, si dhe një trashëgimi muzikore që do të jetojë përmes këngëve që shënuan breza të tërë.