Stuhia diellore afër Tokës, Peqini: Ndër më të fortat e 20 viteve të fundit. Rreziku real qëndron tek teknologjia
Një stuhi e fortë diellore po i afrohet Tokës dhe pritet të shkaktojë shfaqje të rralla të dritave veriore (aurora).
Por çfarë është një stuhi diellore?
Në një intervistë për “Ora News” fizikani Klaudio Peqini nis shpjegimin duke përdorur një analogji të kuptueshme: Dielli si një kazan me ujë që zien, ku stërkalat (plazma diellore) shkëputen dhe fluturojnë në hapësirë.
“Këto grimca të ngarkuara elektrikisht ndërveprojnë me fushën magnetike të Tokës, duke u përqendruar drejt poleve”, tha ai.
Peqini shpjegon se kjo stuhi specifike konsiderohet ndër më të fortat e 20 viteve të fundit për shkak se Dielli ndodhet në maksimumin e aktivitetit të tij, një cikël që përsëritet çdo 22-24 vjet.
Ai bën krahasime me ngjarjet e vitit 2003 dhe 1989 për të vendosur kontekstin historik.
A JEMI TË RREZIKUAR?
I pyetur mbi rrezikun apo pasojat e stuhive diellore për njerëzimin, eksperti sqaroi se për individët në Tokë rreziku është minimal dhe jo 'vdekjeprurës', pasi jemi të mbrojtur.
“Rreziku real qëndron tek teknologjia: dëmtimi ose çorientimi i satelitëve dhe problemet me sistemin GPS”, tha ai.
Peqini shpjegon gjithashtu se si shkencëtarët monitorojnë këto 'buletat' diellore, ashtu si meteorologët gjurmojnë uraganët, duke ditur se pas shkëputjes nga Dielli, stuhisë i duhen 1 deri në 2 ditë për të mbërritur në Tokë.
Nga Satelitët te Dritat e Veriut, eksperti: Ja pasojat teknologjike dhe pamore të stuhisë diellore
PASOJAT
Fizikani Klaudio Peqini shpjegon se pasi stuhia formohet, impakti kryesor është tek satelitët në orbitë të ulët dhe rrjetet elektrike pranë poleve (si në Kanada apo Rusi).
Peqini siguron se Shqipëria, për shkak të pozicionit gjeografik, është e sigurt nga dëmtimet e rrjetit elektrik.
Pjesa më e bukur e këtij fenomeni është krijimi i Aurorave (Dritat e Veriut/Jugut), ku eksperti shpjegon procesin fizik se si grimcat e ngarkuara ngacmojnë gazet atmosferike, të cilat çlirojnë energji në formë drite, duke krijuar spektaklet shumëngjyrëshe në qiell.
MOTI HAPËSINOR DHE KEQINFORMIMI
Po ashtu eksperti Peqini foli edhe mbi disiplinwn e “Motit Hapësinor” dhe instrumentet e sofistikuara si sondat “Parker” dhe “Solar Orbiter”, që monitorojnë Diellin.
Peqini adreson me forcë problemin e titujve alarmues dhe “fake news” që flasin për rreziqe apokaliptike.
Ai thekson se këto janë procese natyrore të studiuara mirë dhe se sistemet tona teknologjike janë gjithnjë e më të përgatitura.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME FIZIKANIN KLAUDIO PEQINI

