SUPER DEBUTIM! Arbeloa: Kur Bernabeu është me ne, e kemi fitoren!
Trajneri i Real Madrid Alvaro Arbeloa beri një super debutim në Ligën e Kampionëve, në një mbrëmjë të zjarrtë fitoreje në Bernabeu. Duke folur pas sfidës ai u shpreh se kur tifozët qëndrojnë krah ekipit, triumfi është I sigurtë! Megjithatë, këtë sfidë e cilësoi vetëm si hapin e parë në Champions.
Alvaro Arbeloa lavdëroi Real Madridin dhe tifozët e tij pas fitores së thellë 6–1 ndaj Monakos në Ligën e Kampionëve. Një mbrëmje speciale në “Santiago Bernabéu”, ku madrilenët dhuruan një paraqitje bindëse dhe u ngjitën në vendin e dytë të renditjes, ndonëse disa skuadra ende nuk i kanë zhvilluar ndeshjet e tyre.
Duke folur pas sfidës, që edhe ishte e para për të në Ligën e Kampionëve, trajneri e cilësoi si një natë të madhe dhe të jashtëzakonshme në stadiumin “Bernabeu”.
“Është një natë ku Bernabéu ka treguar se kur është pas ekipit të tij, Real Madridi është më i mirë. Kur Bernabéu është në anën tonë, ne jemi një ekip vërtet i shkëlqyer dhe në të gjitha netët e mëdha, lojtarët nuk kanë rëndësi. Ajo që kemi pasur gjithmonë të përbashkët është një bazë tifozësh fantastike. Jam shumë i lumtur për një natë të mrekullueshme për tifozët e Bernabéut dhe për lojtarët e Real Madridit”, tha.
Në qendër të vëmendjes ishte edhe Vinicius Jr., i cili u shpall “Lojtari i Ndeshjes” pas një performance të shkëlqyer me një gol dhe dy asistime. Për Arbeloan, ai meriton të gjithë mbështetjen e ekipit dhe tifozëve.
“Vini Jr. është i pandalshëmdhe lojtari më i rrezikshëm që ekziston, kur ky stadium është me të. Ne kemi nevojë për Vini Jr. nëse duam të luftojmë për të gjitha trofetë. Ai e meriton përqafimin nga të gjithë shokët e skuadrës dhe duartrokitjet që mori nga Bernabéu”.
Por puna kolektive, është e vetmja mënyrë për të ecur përpara. Ndaj tekniku spanjoll e vuri pikërisht theksin tek mentaliteti dhe fryma në grup.
“Djemtë janë shumë të mirë dhe po e ndihmojnë një trajner pa përvojë. Ky qëndrim, ky mentalitet është Real Madridi i vërtetë. Real Madridi shkon përtej stileve dhe koncepteve taktike, mbi të gjitha ka të bëjë me karakterin, mentalitetin, ambicien dhe përpjekjen. Dhe ky është vetëm hapi i parë”, tha ai.
I pyetur për shanset në Ligën e Kampionëve, Arbeloa u shpreh i bindur se Real Madridi është gjithmonë favorit në këtë kompeticion, pavarësisht konkurrencës së fortë. Ndërsa konfirmoi gjithashtu rikthimin e Brahim Diaz, duke e cilësuar si një përforcim të rëndësishëm për vazhdimësinë e sezonit.

