Dashuria… që përbëhet nga dy gjysmëzemra
Në marrëdhënie, gjuha jonë shpesh bëhet më e pasur se mendimi, më e guximshme se arsyeja. Ne përdorim një larmi shprehjesh që, ndonëse nuk janë sinonime strikte, mbeten shqiptimi i shumëfishtë i së njëjtës thirrje të brendshme: “zemër”, “loçkë”, “shpirt”, “xhan”, “jetë”, “engjëll”, “margaritar”, “thesar”, “dritë”, “diell”, “rreze”, “hyjni”, “frymë”, “bukuri”, “dashuri”. Këto nuk janë thjesht fjalë që përkufizojnë një ndjenjë; ato janë forma që merr zjarri i dashurisë kur përpiqet të bëhet i dëgjueshëm, i prekshëm, i ndarë me tjetrin.
Në thelb, këto fjalë janë gjurmë të një procesi të brendshëm: skalitja shpirtërore e një përjetimi që na përfshin tërësisht. Ato janë shenja të stuhisë që ndodh brenda trupit dhe ndjenjave tona, kur një tjetër hyn në jetën tonë jo si kalimtar, por si prani që kërkon vend. Janë këto shprehje që përcaktojnë hapësirën që zëmë në njëri-tjetrin. Për dikë mund të jenë tinguj pa peshë, por për ne bëhen urdhërimi i ndjenjës: gjuha i shqipton, buza i lëmon, veshi i dëgjon si premtim, dhe ne dorëzohemi, çmendurisht dhe pastërtisht, në aktin më të thellë të marrëdhënies, marrjen dhe dhënien, për të jetuar jetën jo si fragment, por si përjetësi e ngjeshur në një çast të vetëm.
Kjo është mrekullia e krijimit dhe njëherazi paradoksi i saj, dhurata e vetme që na është dhënë, njëkohësisht për të vuajtur dhe për t’u lumturuar. Sa jemi në fluturimin e këtij përjetimi, nuk mendojmë për rënien. Dashuria, si zog, duket se e njeh qiellin si vendin e vet të vetëm. Por stuhitë vijnë pa paralajmërim. Një erë e fortë e kap në mes të fluturimit dhe e hedh në një hapësirë të panjohur; një rrufe e godet dhe e rrëzon, krahëthyer e zemërkrisur.
Edhe pse nuk duam ta mendojmë, kjo e keqe vjen pikërisht atëherë kur nuk e presim. Dhe për këtë arsye, ndarjen e përjetojmë si dramë ekzistenciale, si mbarim të jetës, si fund të gjithçkaje, si humbje të asaj që mendonim se na përkiste. Ndoshta është vetëm një çast, por për shumëkënd ky çast merr peshën e mbylljes së portave të parajsës së premtuar të dashurisë.
Por mund, dhe nuk duhet, të mbetet kështu. Sa kohë marrim frymë, jemi ende në krahët e jetës. Ndoshta jo më duke fluturuar, por duke mësuar sërish të zotërojmë qiellin, në një tjetër përmasë, në një tjetër thellësi. Është e nevojshme t’ia themi vetes, pa mashtrime, ky nuk ishte fati im. Kaq ishte kjo ëndërr e bukur, dhe kaq i takonte të ishte.
Mbështete kokën në supin e dikujt që është prani dhe motivim, edhe nëse nuk është dashuri. Shfleto librin e jetës në një kapitull tjetër, me shpresën se mes fjalëve dhe rreshtave, mes përfytyrimeve dhe shpengimeve krijuese, do ta gjesh veten sërish, këtë herë jo si mungesë, por si mundësi. Sepse, ndonëse e shqiptojmë rrjedhshëm fjalën MARRËDHËNIE, shpesh harrojmë se gjithçka fshihet pikërisht aty, te marrja dhe dhënia, te njëri-tjetri si hapësirë për plotësim, jo si pronë për zotërim.
Nevoja jonë për ta jetuar jetën përmes tjetrit është si një farë që pafundësia hodhi në çastin e krijimit, dy në një. Kjo ide na është përcjellë që nga origjina, përmes legjendave dhe ligjërimeve biblike, mendimit filozofik dhe arsyetimit shkencor, intuitës së ndjenjave dhe kërkesës së arsyes. Në të vërtetë, ne ndahemi nga ajo me të cilën nuk na ka bashkuar njësimi i dy gjysmave.
Drama e ndarjes, në thelb, nuk ka të bëjë aq me tjetrin, sesa me veten tonë, me pamundësinë për t’u bërë realisht pjesë e dikujt që pretendonim se e donim. Disa gjëra vijnë dhe ikin pa mundur të bëhen kurrë pjesë e qenies sonë. Nganjëherë, largimi është akti më i ndershëm, një refuzim për ta mbajtur tjetrin të mbyllur në robërinë e një marrëdhënieje që nuk arrin të krijojë njësimin e munguar.
Dy gjysma të huaja, sado përkushtim të tregojnë, nuk mund të bëjnë një të plotë.
Është gjithnjë në kohë të kuptohet se ngulmimi që dy gjysma të huaja të bashkohen është një fatalizëm i rremë. Koha nuk i shndërron përherë mospërputhjet në harmoni. Të mos besosh në ekzistencën e dy gjysmave që mund të bëhen një e vetme, pa të cilën nuk mund të jetosh, është në thelb mospranim i tjetrit si pjesë e vetes. Shpesh kjo maskohet si mjaftueshmëri, si një ndjenjë e rreme plotësie, që ushqehet me iluzione.
Sa herë dikush hyn në jetën tonë, nëse nuk jemi gati të shkëmbejmë gjysmat, jo si sakrificë, por si krijim të përbashkët, nuk ka arsye ta përjetojmë largimin si tragjedi. Ajo që duhet t’i themi vetes është më e thjeshtë dhe më e dhimbshme njëkohësisht, ishte e pamundur të ishim pjesë e njëri-tjetrit. Çdo përvojë mbetet një provë, një matje e gjysmës sonë përballë gjysmës që kërkon plotësinë.
Për ta kuptuar më thellë këtë ide, mjafton të shohim zemrën, ajo është e ndërtuar nga dy barkushe, dy dhomëza, harmonia e të cilave përcakton jetën. Çdo hap, çdo veprim, çdo përjetim varet nga sinkronia e tyre.
Dashuria, si marrëdhënie e ndërlikuar dhe e ndjerë mes dy njerëzve, i ngjan pikërisht këtij funksionimi. Barkushja e djathtë përfaqëson atë anë të dashurisë që duron, pastron, përballon peshën dhe e dërgon për rigjenerim atë që është lodhur. Barkushja e majtë është forca që shpërndan energjinë e rigjallëruar, që e çon dashurinë në çdo qelizë të jetës së përbashkët, duke i dhënë asaj kuptim dhe drejtim.
Ashtu si në trup, edhe në dashuri, askush nuk e di paraprakisht se cili rol do t’i takojë. Nuk është ndarja e detyrave ajo që e përcakton këtë, as marrëveshjet e arsyes. Është mënyra se si dy njerëz i qasen njëri-tjetrit, mënyra se si bëhen pjesë e së njëjtës rrahje. Ndoshta këtë e ka vendosur një vullnet më i madh se ne, ajo që e quajmë fat, forca që bashkon dy gjysma zemre në një rrahje të vetme.
Nëse kjo zemër ka rrahur njëherë në kraharorin tonë, ajo do të vazhdojë të masë hapat tanë, edhe kur koha apo distanca kanë hapur mes saj një humnerë.
Kjo është dashuria, nëse e kuptojmë si bashkimin e dy gjysmave që krijojnë një të plotë, ajo që bën zemrën të rrahë më shpejt, gjakun të vërshojë me tërbim, çdo prekje të jetë zjarr, çdo puthje ngritje në qiell, dhe çdo shikim përplasje qiejsh që shndërrohet në pafundësi.
Ndryshe, pse përvoja njerëzore do ta zgjidhte pikërisht zemrën për të shprehur dashurinë? Pse jo një organ tjetër, po aq i përsosur në funksionin e vet? Sepse zemra nuk është vetëm muskul që pompon gjak; ajo është metafora më e plotë e marrëdhënies, dy gjysma që, vetëm duke rrahur së bashku, e bëjnë jetën të jetë jetë.



