Marrëdhënia e Travis Kelce dhe Taylor Swift në krizë?

Taylor Swift dhe Travis Kelce po kalojnë atë që përshkruhet si “prova e parë e vërtetë” në lidhjen e tyre, ndërsa ylli i NFL-së po mendon seriozisht për të ardhmen e tij profesionale dhe një pensionim të mundshëm nga futbolli amerikan.

Sipas Daily Mail, këngëtarja 36-vjeçare është përqendruar më shumë në mbështetjen emocionale të partnerit të saj, i cili thuhet se ndihet “i demoralizuar” pas sezonit zhgënjyes të Kansas City Chiefs, sesa në organizimin e dasmës së tyre.

“Taylor po përpiqet ta bëjë Travis-in të ndihet mirë duke kaluar më shumë kohë me të dhe duke mos e bombarduar me plane dasme,” ka deklaruar një burim i afërt me çiftin. “Ajo dëshiron që ai të fokusohet te martesa pasi të marrë vendimin për karrierën, sepse e di sa e rëndësishme është kjo për të.”

Burimi shton se Swift e sheh këtë periudhë si një moment kyç për lidhjen e tyre. “Ata kanë shijuar suksesin — turnetë e saj madhështore dhe fitoret e tij në Super Bowl. Por Travis tani po përballet për herë të parë me një të ardhme të paqartë dhe vendime jetësore të mëdha.”

Sipas burimeve, Kelce pritet ta bëjë të ditur vendimin e tij përfundimtar deri në fillim të marsit. “Disa javë pas Super Bowl-it do të dihet nëse ai do të rikthehet edhe për një sezon tjetër apo jo,” thuhet më tej.

Ndërkohë, e ardhmja e çiftit përtej NFL-së duket tashmë e planifikuar. Mediat amerikane raportojnë se Swift dhe Kelce kanë diskutuar projekte të përbashkëta dhe një jetë të re pas përfundimit të karrierës sportive të tij.

“Gjërat po ndryshojnë. Ai po përballet me fundin e një etape të madhe të jetës, ndërsa paralelisht mendon për martesën, familjen dhe një të ardhme të re edhe në televizion,” ka thënë burimi.