PARACETAMOLI I SIGURT NË SHTATZANI! Studimi i ri përjashton rrezikun për autizëm dhe ADHD tek fëmijët
Përdorimi i paracetamolit gjatë shtatzënisë nuk rrit rrezikun e autizmit, ADHD-së apo problemeve zhvillimore tek fëmijët, sipas një studimi shkencor që rrëzon cdo pretendim për efekte. Ekspertët konfirmojnë se ai mbetet ilaçi i sigurt dhe i rekomanduar për dhimbje dhe temperaturë gjatë shtatzënisë.
Përdorimi i paracetamolit gjatë shtatzënisë nuk rrit rrezikun e autizmit, ADHD-së apo problemeve të tjera zhvillimore tek fëmijët, sipas një rishikimi të gjerë shkencor të publikuar së fundmi.
Studimi, i botuar në një revistë prestigjioze mjekësore, analizoi 43 kërkime me cilësi të lartë që përfshinin qindra mijëra gra shtatzëna. Autorët nuk gjetën asnjë lidhje shkencore mes përdorimit të paracetamolit dhe çrregullimeve neuro-zhvillimore tek fëmijët.
Ky rishikim erdhi pas deklaratave të bëra vitin e kaluar nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili sugjeroi se gratë shtatzëna duhet të shmangin këtë qetësues dhimbjesh.
Këto pohime shkaktuan shqetësim të gjerë, por u kundërshtuan menjëherë nga organizatat mjekësore ndërkombëtare dhe ekspertët e shëndetit publik.
Për të adresuar këto dyshime, studiuesit përdorën të dhëna me rigorozitet të lartë shkencor dhe arritën në përfundimin se nuk ekziston asnjë provë mjekësore që mbështet pretendimet për rrezik.
Sipas tyre, çdo lidhje e raportuar më herët ka shumë gjasa të lidhet me faktorë gjenetikë ose mjedisorë dhe jo me përdorimin e vetë ilaçit.
Ekspertët shëndetësorë e kanë cilësuar këtë rishikim si një “standard të artë” në fushë, duke theksuar se ai largon një stres të panevojshëm për shumë gra shtatzëna dhe ofron qartësi shkencore në një çështje të ndjeshme.
Gjetjet janë mirëpritur nga profesionistë shëndetësorë në Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, të cilët nënvizojnë se ato përputhen plotësisht me udhëzimet e organizatave kryesore mjekësore. Paracetamoli mbetet ilaçi i linjës së parë për trajtimin e dhimbjeve dhe temperaturës gjatë shtatzënisë, duke ofruar siguri dhe qetësi në një periudhë kyçe për nënën dhe fëmijën.

