NA NDEROI NË MATEMATIKË! Loris Qose nga Cërriku triumfon në SHBA. Rama: Suksese kampion
Loris Qose, nxënës i shkollës “7 Marsi” në Cërrik është fituesi në matematikë në olimpiadën “Neo Science Olympiad”, të zhvilluar në Orlando të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në të njëjtën garë, u rendit edhe i treti në lëndën e Kimisë.
Arritja e tij është vlerësuar edhe nga Kryeministri Edi Rama. Në një reagim publik, Rama u shpreh krenar për talentin, pasionin dhe punën e nxënësit nga Cërriku.
Ai theksoi gjithashtu rolin e mësuesve dhe përkushtimin e shkollës shqiptare në këtë sukses.
RAMA: “Krenarë për Lorisin! …Talenti, pasioni dhe puna e Lorisit, bashkë me përkushtimin e mësuese Fluturës, u shpërblyen me dy medalje që na bëjnë të gjithëve krenarë për nxënësit tanë. Ndërkohë që vijojnë olimpiadat e matematikës, fizikës, kimisë, biologjisë, e plot të tjera në të gjithë vendin në shkollat tona ku dalin në pah talente si Lo"risi. Suksese kampion”.
Suksesi i Loris Qoses dhe të tjerëve para tij, vjen në kontrast me të dhënat për arsimin në shkencat ekzakte në Shqipëri ku Raportet ndërkombëtare tregojnë se shumë nxënës shqiptarë hasin vështirësi në matematikë dhe shkenca.
Në vend ndërkohë po zhvillohen programet për nxitjen e shkencave, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës (STEM/STEAM) në nivel shkollor për t’i dhënë nxënësve aftësi më të forta në fushat teknologjike dhe kërkimore.
Një tjetër përpjekje është projekti i Smart Lab-eve dhe klasave dixhitale, që synon të pajisë shkollat me laboratorë të pajisur për mësimin praktik të shkencave dhe teknologjisë, duke u mundësuar nxënësve përvojë direkte në eksperimentim dhe përdorim praktik.

