Rusia mbështet Maduron/ Lavrov: "Zgjidhja përmes dialogut"
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, zhvilloi sot një bisedë telefonike me Zëvendëspresidenten e Venezuelës, Delcy Rodríguez, ku konfirmoi mbështetjen e Moskës për qeverinë e Karakasit dhe angazhimin për thellimin e partneritetit strategjik midis dy vendeve.
Sipas njoftimit zyrtar, të dyja palët diskutuan mbi uljen e tensioneve dhe gjetjen e zgjidhjeve përmes dialogut, ndërsa Lavrov shprehu solidaritet me popullin e Venezuelës, i cili, sipas tij, po përballet me agresion të jashtëm. Ai theksoi se Rusia do të mbështesë qeverinë e Venezuelës në mbrojtjen e interesave kombëtare dhe sovranitetit të saj.
Pas kësaj deklarate, Ministria e Jashtme ruse iu drejtua Washingtonit, duke kërkuar që të respektojë presidentin legjitim të Venezuelës dhe të krijojë kushtet për zgjidhje të problemeve mes SHBA-së dhe Venezuelës përmes dialogut.
Raportimet mediatike ndërkombëtare tregojnë se Delcy Rodríguez ndodhet aktualisht në Moskë. Sipas gazetës spanjolle The Objective, nga Moska ajo ka bërë një kërkesë ndaj SHBA-së për shpjegime mbi vendndodhjen dhe sigurinë e presidentit Nicolás Maduro dhe gruas së tij, të cilët, sipas raporteve, janë kapur nga forcat amerikane në Karakas dhe transferuar në New York.
