GRIPI NË RRITJE NË SHBA / Varianti i ri “subclade K” po rrit me shpejtësi rastet e infektimeve

Rastet me grip po rriten me ritme të shpejta në Shtetet e Bashkuara, të nxitura nga një variant i ri i virusit. Autoritetet shëndetësore paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet me shtimin e udhëtimeve dhe grumbullimeve festive. Ekspertët theksojnë se vaksinimi mbetet masa kryesore parandaluese ndaj formave të rënda të sëmundjes

Rastet me grip po shënojnë një rritje të shpejtë në Shtetet e Bashkuara, të nxitura nga një variant i ri i virusit i njohur si “subclade K”. Sipas qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve dhe Parandalimin, mbi gjysma e shteteve raportojnë nivele të larta ose shumë të larta të sëmundjes, ndërsa rastet pritet të shtohen me intensifikimin e udhëtimeve gjatë festave.

Deri tani, autoritetet vlerësojnë se janë regjistruar të paktën 7.5 milionë raste gripi, rreth 81 mijë shtrime në spital dhe mbi 3 mijë viktima, përfshirë edhe disa fëmijë. Këto të dhëna janë mbledhur para grumbullimeve të mëdha të fundvitit, çka sugjeron se shifrat reale mund të jenë edhe më të larta.

Varianti subclade K është një version i mutuar i gripit A, konkretisht i nëntipit H3N2, i cili njihet për ndikimin e rëndë sidomos tek të moshuarit. Ekspertët theksojnë se, ndonëse nuk konsiderohet një lloj krejtësisht i ri gripi, ky variant arrin t’i shmanget pjesërisht mbrojtjes së vaksinës aktuale.

Megjithatë, mjekët theksojnë se vaksinimi mbetet i domosdoshëm. Edhe pse vaksina e këtij viti nuk është përputhje e plotë me variantin e ri, studime paraprake tregojnë se ajo ul ndjeshëm rrezikun e shtrimit në spital dhe komplikacioneve të rënda. Aktualisht, vetëm rreth 42 për qind e popullsisë është vaksinuar kundër gripit.

Autoritetet shëndetësore rekomandojnë vaksinimin për të gjithë personat mbi 6 muajsh, veçanërisht për grupet më të rrezikuara si të moshuarit, gratë shtatzëna, fëmijët e vegjël dhe personat me sëmundje kronike, duke theksuar se parandalimi mbetet arma më e fortë përballë përhapjes së gripit.