Tragjedia në Zvicër/ Zjarri në resort dyshohet se nisi nga fishekzjarret në shishet e shampanjës

Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes tragjike në lokalin e një resorti skish në Zvicër vijojnë ende.

Nga raportimet e deritanishme dyshohet se zjarri që shkaktoi vdekjen e të paktën 40 personave natën e Vitit të Ri ka ardhur nga fishekzjarret e ndezura, që ishin vendosur në shishet e shampanjës.

Dyshohet gjithashtu se tavani ka marrë flakë menjëherë për shkak se sipas ekspertëve ishte i ndërtuar me panele akustike, material i përdorur për të përmirësuar cilësinë e zërit dhe një rrezik potencial zjarri. Kryeprokurorja zvicerane Beatrice Pilloud tha në një konferencë për shtyp të premten se të gjitha provat tregojnë se zjarri është shkaktuar nga fishekzjarrët.

“Disa hipoteza mund të konfirmohen. Siç qëndrojnë gjërat, gjithçka tregon se zjarri filloi nga fishekzjarrët oe vendosura në shishet e shampanjës që iu afruan shumë tavanit, gjë që shumë shpejt çoi në një zjarr të shkaktuar nga shpërthimi i flakëve”, u shpreh Pilloud.

Numri i personave të plagosur pas zjarrit në barin "Le Constellation" në resortin zviceran të skive Crans-Montana është rritur në 119, me gjashtë persona që ende nuk janë identifikuar, sipas komandantit të Policisë Kantonale të Valais. Nga të plagosurit, 71 janë shtetas zviceranë, 14 francezë, 11 italianë, katër serbë, një shtetas boshnjak, një shtetas belg, një shtetas luksemburgas, një shtetas polak dhe një shtetas portugez.

14 pacientë të tjerë që po trajtohen ende nuk e kanë konfirmuar kombësinë e tyre. Të plagosurit po trajtohen në spitale të ndryshme në Zvicër dhe jashtë saj.

Autoritetet kanë paralajmëruar se shifrat mund të ndryshojnë, sepse shifrat kanë të bëjnë me individë që janë identifikuar zyrtarisht./cna