Pse dita pas Krishtlindjes quhet 'Boxing Day'?
26 dhjetori nuk është vetëm një ditë pushimi për Babagjyshin, por edhe një festë zyrtare e quajtur "Boxing Day" në Mbretërinë e Bashkuar dhe në vende të tjera të Commonwealth-it britanik, si Australia, Kanadaja dhe Zelanda e Re.
Pavarësisht emrit të çuditshëm, "Boxing Day" nuk ka asnjë lidhje me boksin, me thyerjen e kutive bosh të Krishtlindjes apo me kthimin e dhuratave të padëshiruara në dyqane.
Termi ka origjinë britanike dhe Fjalori i Oksfordit e gjen për herë të parë të shkruar në vitin 1833, katër vjet para se Charles Dickens ta përmendte në "The Pickwick Papers".
Rrënjët e sakta të emrit nuk dihen, por ekzistojnë dy teori kryesore, të dyja të lidhura me bamirësinë që tradicionalisht jepej për shtresat e varfra një ditë pas Krishtlindjes.
Një ide është se, shumë shekuj më parë, 26 dhjetori ishte dita kur lordët dhe aristokratët shpërndanin "kutitë e Krishtlindjes", shpesh të mbushura me dhurata të vogla, para dhe ushqime të mbetura nga darka e Krishtlindjes, për shërbëtorët dhe punëtorët e tyre, të cilët punonin me 25 dhjetor. Këto kuti ishin, praktikisht, shpërblime festive.
Një teori tjetër e njohur thotë se emri Boxing Day vjen nga kutitë e lëmoshës që vendoseshin në kishë gjatë periudhës së Ardhjes së Krishtit për të mbledhur donacione nga besimtarët. Me 26 dhjetor, klerikët shpërndanin për të varfrit përmbajtjen e këtyre kutive. Kjo ditë përkon edhe me festën e Shën Stefanit, martiri i parë i krishterë, i njohur për veprat e tij bamirëse. (Në Irlandë, 26 dhjetori festohet si dita e Shën Stefanit.)
Edhe pse praktika e dhënies së lëmoshës me 26 dhjetor është zbehur, pasi sot bamirësia jepet më herët, në javët para Krishtlindjeve, emri "Boxing Day" ka mbetur. Sot, 26 dhjetori është një ditë shumë e njohur pushimi në Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet e Commonwealth-it për të ndjekur sporte si futbolli dhe kriketi, për pazar dhe për të vizituar miqtë. / History – Syri.net

