VIDEO/ Buxheti 2026 i Bashkisë Berat, PD: 89% për paga dhe patronazhistë, qyteti mbetet pa investime
Këshilli Bashkiak i Beratit miratoi buxhetin e Bashkisë për vitin 2026, një dokument që Partia Demokratike dhe këshilltarët e saj e kundërshtuan dhe e votuan kundër.
Sipas përfaqësuesve të PD-së, 89% e buxhetit parashikohet të shkojë për paga dhe shpenzime korente të një administrate të fryrë, ndërsa vetëm 11% për investime kapitale, duke lënë pas dore nevojat kryesore të qytetarëve për infrastrukturë, shkolla dhe kopshte.
Në deklaratën e tyre, Kasion Hasimetaj, Kryetari i PD Berat Oltion Merdari, si dhe këshilltarët bashkiakë të PD-së Oltion Merdari dhe Anduena Azizolli, theksuan se pavarësisht rritjes së numrit të bizneseve dhe turistëve, të ardhurat e vetë bashkisë mbeten minimale, ndërsa fondet nga grantet janë pothuajse të papërfillshme, çka tregon paaftësinë e administratës për të hartuar dhe siguruar projekte financimi.
Sipas opozitës, bujqësia është lënë pa mbështetje, me vetëm 4.2% të buxhetit, edhe pse mbi 35% e popullsisë e ka këtë sektor burimin kryesor të të ardhurave.
Po ashtu, ata kritikuan mënyrën se si financohen aktivitetet turistike, duke pretenduar se fondet shpërdorohen për aktivitete pa ndikim real në promovimin e qytetit.
Partia Demokratike shprehet se Berati ka nevojë për një buxhet që mbështet zhvillimin ekonomik, bujqësinë, turizmin dhe përmirësimin e infrastrukturës, ndërsa buxheti i miratuar, sipas saj, nuk i shërben interesit të qytetarëve.
DEKLARATA E PLOTË:
Përpara disa ditësh u miratua në Këshillin Bashkiak të Beratit buxheti i Bashkisë Berat për vitin 2026. Ky është dokumenti më i rëndësishëm për bashkinë tonë, për qytetarët tanë dhe për bizneset tona, sepse u tregon të gjithëve se ku shkojnë taksat tona dhe cilat janë prioritetet që Bashkia Berat do të financojë në vitin 2026.
Këshilltarët e Partisë Demokratike e kundërshtuan këtë buxhet bazuar në argumentet e mëposhtme:
Së pari, 89% e buxhetit shkon për paga të administratës dhe shpenzime korente, dhe vetëm 11% shkon për investime kapitale. Pra, ky buxhet shkon thuajse i gjithi për të paguar një administratë të fryrë me patronazhistë. Në një kohë kur së paku 40% e buxhetit duhet të shkonte në investime për rrugë, shkolla, kopshte, kanale ujitëse dhe kulluese, si dhe për çdo vepër tjetër infrastrukturore. Por buxheti i ri, përveç përfundimit të disa investimeve të vogla, nuk ka të parashikuar asnjë investim të ri. E vërteta është që në Bashkinë Berat paguhen shumë herë më tepër individë militantë të PS-së, të cilët as që paraqiten në punë, por detyrë kanë vetëm të patronazhojnë dhe manipulojnë votën.
Së dyti, edhe pse thuhet se kemi rritje të numrit të bizneseve dhe të numrit të turistëve që vizitojnë qytetin tonë, të ardhurat që siguron vetë bashkia kanë një rritje të papërfillshme. Dhe të tilla parashikohet të jenë edhe në dy vitet në vazhdim. Ndërsa të ardhurat nga grantet e institucioneve apo shoqatave partnere janë vetëm 0.2% e buxhetit, gjë që tregon paaftësinë e administratës militante të bashkisë për të hartuar projekte dhe për të aplikuar pranë këtyre institucioneve.
Së treti, bujqësia është lënë totalisht pa mbështetje. Në funksion të saj janë lënë vetëm 4.2% e buxhetit, edhe pse ky sektor është burimi kryesor i të ardhurave familjare për mbi 35% të popullsisë së kësaj bashkie. Kështu, nuk janë parashikuar investime për rrugë, kanale vaditëse dhe pastrimin e atyre kulluese, prita për mbrojtjen nga përmbytjet dhe për rastet e emergjencave si zjarret, etj.
Së katërti, në funksion të turizmit është parashikuar të lihet gati dyfishi i financimit që i është vendosur sektorit të bujqësisë. Kjo do të ishte për t’u lavdëruar nëse këto para do të përdoreshin për të investuar apo promovuar vlerat artistike, historike apo kulinare të zonës sonë. Por ne kemi parë se në të gjitha këto vite, ky buxhet është shpërdoruar duke paguar këngëtarë tallavaje, fonira dhe orkestra nëpër ahengje të pakuptimta dhe vend e pa vend. Kjo gjë nuk siguron promovim të turizmit, por shpërdorim populist të parave të qytetarëve të Beratit.
Berati ka nevojë për një buxhet që të reflektojë dhe të mbështesë sektorët prioritarë si turizmi dhe bujqësia, të zgjidhë problematikën e theksuar të infrastrukturës rrugore, si dhe nevojat për kopshte dhe shkolla. Por, ashtu siç është miratuar, paratë tuaja, të dashur qytetarë të Beratit, shkojnë në xhepat e thellë të patronazhistëve politikë. Për këto arsye, Partia Demokratike dhe këshilltarët e saj e kundërshtuan dhe votuan kundër këtij buxheti.

