NAPOLI, CONTE DREJT RINOVIMIT/ De Laurentiis kërkon zgjatjen e kontratës deri në vitin 2029

Në Napoli është rikthyer qetësia dhe raporti mes Aurelio De Laurentiis dhe Antonio Conte duket më solid se kurrë. Presidenti i klubit synon të zgjasë kontratën e trajnerit, pas një sezoni të vështirë por të mbyllur me trofe dhe besim të ndërsjellë.

Në Napoli jo vetëm që është rikthyer qetësia, por gjithnjë e më shumë po konsolidohet ideja se bashkëpunimi mes presidentit Aurelio De Laurentiis dhe trajnerit Antonio Conte mund të vazhdojë për një kohë të gjatë.

Sipas mediave italiane, De Laurentiis synon ta zgjasë kontratën e Contes me dy vite të tjera, duke e çuar marrëveshjen deri në vitin 2029 dhe jo më 2027, siç parashikohej fillimisht. Një ide e qartë nga ana e klubit, por ende për t’u kuptuar mbetet vullneti i vetë trajnerit.

Nga humbja në kampionat ndaj Bolonjës deri te triumfi në finalen e Superkupës Italiane, rruga ka qenë e mbushur me tensione, zëra për ndarje dhe pakënaqësi, por De Laurentiis ka mbrojtur gjithmonë trajnerin, duke e cilësuar punën e tij si themelore për projektin.

Pas finales në Riad, presidenti e përsëriti publikisht besimin te Conte, ndërsa skuadra ngrinte trofeun.

Pyetja kryesore mbetet nëse Conte dëshiron të qëndrojë gjatë. Historia e tij tregon se rrallë ka kaluar më shumë se dy sezone në një klub, me përjashtim të periudhës te Juventusi. Ka edhe spekulime se ai mund të synojë rikthimin në stolin e kombëtares italiane pas Botërorit, por këto janë ende skenarë për t’u vlerësuar.

Ajo që është e sigurt është se Conte mbetet një nga trajnerët më të vlerësuar në botë. Edhe këtë sezon, mes një skuadre të vështirë për t’u ndërtuar, dëmtimeve të shumta dhe mungesave të rëndësishme, ai ka ditur të gjejë zgjidhje, duke ndryshuar disa herë skemën e lojës dhe duke u përshtatur me lojtarët në dispozicion.

Parimet e tij taktike kanë mbetur të pandryshuara, pavarësisht modulit, ndërsa lojtarët kanë shprehur hapur vlerësimin për të. Nuk është çudi që De Laurentiis dëshiron ta “blindojë”, mbetet për t’u parë nëse Conte dëshiron të njëjtën gjë.