VIDEO/ Skandali dje në Vlorë, reagon TEUTA: Tifozëtnuk u larguan nga stadiumi, por ndërruan vend. FSHF të marrë masa për sulmin ndaj lojtarëve tanë
Një ngjarje e rëndë ka njollosur pasditen e djeshme futbollistike në stadiumin “Flamurtari” të Vlorës, ku po zhvillohej ndeshja mes Flamurtarit dhe Teutës, e vlefshme për javën e 17-të të Abissnet Superiore.
Takimi u ndërpre në minutën e 68-të, kur disa tifozë vendas thyen rrethimin e sigurisë dhe hynë në fushën e lojës, duke shkaktuar një përleshje të papranueshme me lojtarët e ekipit kundërshtar. Situata krijoi kaos dhe tension të lartë, duke detyruar arbitrin të ndalë menjëherë ndeshjen.
Shkak i incidentit dyshohet të ketë qenë goditja e futbollistit të Teutës, Muço Boçi, autor i golit të avantazhit për ekipin durrsak. Pretendimet flasin për sulm fizik ndaj lojtarit, çka e përkeqësoi edhe më tej situatën në fushë.
Futbollistët e Flamurtarit, së bashku me forcat e policisë, ndërhynë me shpejtësi për të neutralizuar përleshjen dhe për të larguar tifozët nga fusha, duke shmangur pasoja edhe më të rënda. Pas ndërhyrjes së autoriteteve, stadiumi u boshatis plotësisht dhe u mor vendimi që ndeshja të rifillonte pa praninë e tifozëve.
Takimi rinisi nga minuta e 68-të, ndërsa Flamurtari arriti të barazojë shifrat në minutën e 90-të me golin e shënuar nga Chantakias, duke mbyllur ndeshjen në rezultatin 1-1.
Incidenti pritet të ketë pasoja të rënda disiplinore për klubin vlonjat, ndërsa Komisioni i Disiplinës pritet të shqyrtojë ngjarjen dhe të marrë vendime përkatëse në ditët në vijim.
REAGON TEUTA
KF Teuta kërkon të informojë publikun për dhunën që ndodhi në stadiumin e Flamurtarit, ku Muço Boçi dhe Mario Beshiraj u goditën me grusht nga lojtarët e Flamurtarit dhe më pas nga tifozët që mësynë fushën në minutën e 69-të.
Një episod i tillë i tronditi lojtarët, të cilët kaluan në shok psikologjik, por çuditërisht delegati i ndeshjes, Armando Mandro, kërkoi që loja të vazhdonte dhe i kërkoi policisë të boshatiste tribunën përballë (C).
KF Teuta insistoi se ekipi nuk mund të riluante ndeshjen, pasi ishte në gjendje të rënduar psikologjike, por delegati vendosi që ndeshja duhej të vazhdonte, pa u interesuar për dhunën e paprecedentë që ndodhi në fushë.
Ndeshja u kthye në ferr dhe lojtarët nuk ishin të gatshëm të luanin futboll, por, ndonëse KF Teuta nuk ishte dakord, pranoi të vazhdonte ndeshjen pas urdhrit të delegatit.
KF Teuta ka në dispozicion edhe një tjetër video ku tifozët e Flamurtarit nuk u larguan nga stadiumi, por shkuan në tribunën pas porte.
KF Teuta kërkon nga FSHF-ja që të merren masat për këtë ngjarje të rëndë dhe të zbardhet dinamika e saj. Urojmë që skena të tilla të mos përsëriten më, pasi njollosin futbollin shqiptar.

