OSCARS DO TË JEPEN NË YOUTUBE/ Nga viti 2029, ceremonia prestigjioze nuk transmetohet më në ABC
Ceremonia e Oscar-ëve do të largohet nga televizioni tradicional. Nga viti 2029, çmimet më prestigjioze të kinemasë do të transmetohen ekskluzivisht në YouTube. Akademia synon të arrijë një audiencë globale dhe më të re.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve Oscar do të pësojë një ndryshim historik, duke u larguar nga televizioni tradicional. Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit ka njoftuar se nga viti 2029, Oscar-ët do të transmetohen ekskluzivisht dhe falas në platformën YouTube.
Sipas marrëveshjes shumëvjeçare të firmosur, YouTube do të ketë të drejtat globale të transmetimit të ceremonisë deri në vitin 2033. Kjo shënon fundin e një bashkëpunimi më shumë se 50-vjeçar me rrjetin ABC, i cili e ka transmetuar ceremoninë që prej vitit 1976.
Drejtuesit e Akademisë theksojnë se ky vendim synon zgjerimin e audiencës ndërkombëtare dhe afrimin e brezave të rinj me kinemanë.
Sipas tyre, partneriteti me YouTube do të rrisë aksesin global dhe do të forcojë lidhjen mes Akademisë dhe komunitetit filmik.
Ndër vite, shikueshmëria e Oscar-ëve ka qenë në rënie, megjithëse në vitin 2025 u shënua një rritje e lehtë, veçanërisht mes të rinjve që e ndoqën ceremoninë përmes telefonave dhe kompjuterëve.
Efekte
Nga ana tjetër, drejtuesit e YouTube e cilësojnë Oscar-in si një institucion kulturor global dhe shprehen se bashkëpunimi do të frymëzojë një brez të ri krijuesish dhe adhuruesish të filmit.
ABC do të vijojë të transmetojë edhe tri ceremonitë e ardhshme deri në vitin 2028, ndërsa ky vendim shihet si një tjetër tregues i zhvendosjes së industrisë së argëtimit drejt platformave streaming.
