Ajax triumfon në fushën e Qarabag dhe merr fitoren e parë në Champions, Copenhagen mposht Villarrealin në transfertë

Ajax-i ka marrë fitoren e parë në këtë edicion të Champions-it, duke mposhtur Qarabag-un me rezultatin 4-2 në një ndeshje dramatike dhe me shumë kthesa.

Qarabag kaloi i pari në avantazh në minutën e 10’, kur Camilo Duran realizoi një parabël të bukur mbi portierin Vitezslav Jaros për 1-0.

Ajax reagoi shpejt dhe në minutën e 39’, Kasper Dolberg barazoi shifrat në 1-1 pas një pasimi të Sean Steur dhe një goditjeje të fuqishme brenda zonës.

Pjesa e dytë nisi me një tjetër gol të Qarabag-ut, kur Matheus Silva në minutën e 47’ shënoi për 2-1, duke u dhënë avantazh vendasve.

Megjithatë, Ajax nuk u dorëzua. Në minutën e 79’, Oscar Gloukh shënoi golin e barazimit 2-2 pas një pasimi të Lucas Rosa.

Vetëm katër minuta më vonë, në minutën e 83’, Anton Gaaei realizoi golin e tretë për Ajax-in, duke shfrytëzuar një asist të shkëlqyer të Don-Angelo Konadu dhe duke kthyer avantazhin në 3-2.

Në fund të ndeshjes, në minutën e 90’, Gloukh vulosi fitoren për ekipin holandez me një goditje të saktë në cepin e poshtëm të portës pas një pasimi të Mika Godts, duke vendosur rezultatin përfundimtar 4-2.

Në ndeshjen tjetër Villarreal dhe Copenhagen zhvilluan një ndeshje dramatike në raundin e gjashtë të Ligës së Kampioneve, ku skuadra daneze triumfoi 3-2 në fushën e spanjollëve, duke arritur kuotën e 7 pikëve në grup, ndërsa Villarreal mbetet me vetëm një pikë.

Copenhagen kaloi i pari në avantazh që në minutën e 2’, kur Mohamed Elyounoussi shfrytëzoi një pasim perfekt nga Marcos Lopez dhe, pas një prekje të parë, mposhti portierin për 0-1.

Villarreal reagoi shpejt dhe në fillim të pjesës së dytë, në minutën e 47’, Santi Comesana barazoi shifrat në 1-1.

Skuadra daneze nuk u dorëzua dhe vetëm një minutë më vonë, Elias Achouri realizoi një gol të jashtëzakonshëm për 1-2.

Villarreal-i reagoi sërish në minutën e 56’, kur Tanitoluwa Oluwaseyi shënoi për 2-2 pas një pasimi të Alfonso Pedraza, duke rikthyer baraspeshën dhe shpresat për fitoren.

Megjithatë, Copenhagen tregoi karakter dhe në minutën e 90’, Andreas Cornelius shfrytëzoi një top nga Elyounoussi dhe shënoi golin vendimtar në cepin e sipërm të portës, duke vulosur rezultatin përfundimtar 2-3.