Mbappé rrezikon ndeshjen ndaj Manchester City, francezi nuk është gati për të luajtur titullar
Kylian Mbappé pritet të mos e nisë nga minuta e parë sfidën e madhe të Real Madridit kundër Manchester City-t, sipas raportimeve të Jose Luis Sanchez dhe disa burimeve të tjera të afërta me klubin.
Sulmuesi francez ende nuk është rikuperuar plotësisht nga shqetësimi në gju që pësoi në humbjen 2-0 ndaj Celta Vigos në “Santiago Bernabeu”, megjithatë është në listë për takimin e sotëm.
Mbappé i ka nisur të gjitha ndeshjet e sezonit për Real Madridin dhe lodhja fizike duket se po e jep efektin e saj.
Ky ritëm i lartë, i kombinuar me dëmtimin e fundit, e vendos në dyshim aktivizimin e tij që nga fillimi ndaj kampionëve të Anglisë.
Në mungesë të tij, trajneri Xabi Alonso ka disa opsione.
Ai mund të aktivizojë Gonzalo Garcian si qendërsulmues, ose të formojë një treshe dinamike me Vinicius Junior dhe Rodrygon në vijën e parë të sulmit.
Megjithëse nuk është në gjendje optimale, sezoni i Mbappés ka qenë mbresëlënës: 25 gola dhe katër asistime në vetëm 21 ndeshje.
Kontributi i tij ka qenë vendimtar në shumë sfida, ndaj një mungesë e mundshme në një duel kaq të rëndësishëm përbën problem serioz për madrilenët.
Real Madridi shpreson të ketë ‘yllin’ francez të paktën në stol, por gjithçka do të vendoset vetëm pak orë para ndeshjes, në varësi të reagimit të tij fizik.
