FOTO/ Pas protestave, Bali vendos të heqë ashensorin e shëmtuar turistik, një shenjë fitoreje për aktivistët

Guvernatori i Balit ka urdhëruar prishjen e një ashensori prej xhami të ndërtuar pjesërisht në një nga shkëmbinjtë bregdetarë më të famshëm të ishullit, pas javësh protestash publike dhe gjetjesh të shkeljeve të shumta mjedisore dhe të ndërtimit.

Guvernatori I. Wayan Koster njoftoi së fundmi se struktura 180 metra e lartë në ishullin fqinj Nusa Penida duhet të hiqet brenda gjashtë muajsh, pasi autoritetet ndaluan punimet në fund të tetorit për shkak të mungesës së lejeve dhe shkeljeve të dyshuara të rregullave të planifikimit. Rreth 70% e projektit ishte përfunduar tashmë.

Ashensori u projektua për të transportuar turistët poshtë në pikën e vëzhgimit "shkëmbi T-Rex" në plazhin Kelingking, ku shkëmbinjtë ngjajnë me kokën e një dinosauri.

FOTO/ Pas protestave, Bali vendos të heqë ashensorin e shëmtuar

Shkëmbinjtë gëlqerorë të plazhit, kreshtat e gjelbra të të cilëve përkulen mbi ujërat bruz si kurrizi i një krijese prehistorike, e bënë Nusa Penida një nga destinacionet më të fotografuara të Balit. Por ngritja e ashensorit përgjatë faqes së shkëmbit, nxiti një debat të madh mbi atë se sa larg duhet të shkojë ishulli në ndjekje të turizmit.

Synonte të ofronte një alternativë më të sigurt ndaj shtegut të pjerrët, ku vizitorët janë lënduar shpesh. Por korniza e bardhë prej çeliku shkaktoi kritika të ashpra, me shumë njerëz që argumentonin se prishte peizazhin ikonik.

Koster tha se masa për ta prishur atë, është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të mbrojtur natyrën, kulturën dhe vlerat shoqërore të Balit, duke hedhur poshtë pretendimet se vendimi është armiqësor ndaj investimeve.

Zhvilluesi, PT Indonesia Kaishi Tourism Property Investment Development, do të duhet ta rikthejë zonën në gjendjen e saj origjinale brenda tre muajve pas heqjes.

Bali ka nevojë për investime, por ato duhet të kryhen me integritet dhe përgjegjësi, tha Koster, duke shtuar se zhvillimi duhet ta mbrojë Balin, jo ta shfrytëzojë atë. Ishulli ka kohë që përballet me presionet e turizmit masiv.

Puna ishte ndalur që në tetor, kur ligjvënësit provincialë të Balit kërkuan që puna në strukturën 180 metra të ndalej, pasi zbuluan se projektit i mungonin lejet e plota dhe dukej se shkelte rregullat mjedisore dhe të zonimit.

Komiteti i posaçëm i legjislaturës provinciale për planifikimin hapësinor kishte argumentuar për heqjen e tij, në një rekomandim drejtuar Guvernatorit Wayan Koster.

“Gjetjet tregojnë se ashensori prej qelqi është ndërtuar në një zonë që shkel rregulloret hapësinore”, tha kryetarja e Komitetit, Made Supartha. “Detyra jonë është të sigurohemi që zhvillimi në Bali të mbetet në përputhje me ekuilibrin natyror dhe vlerat kulturore të ishullit.”

Raporti i komitetit rekomandoi gjithashtu një rishikim të një platforme të propozuar për ‘kërcim bungee’ aty pranë, mes ankthit në rritje për transformimin e shpejtë komercial të Nusa Penida.

I njohur dikur për shkëmbinjtë e thyer, shkëmbinjtë koralorë dhe ceremonitë në tempull, ishulli tani po përjeton një vrull zhvillimi të nxitur nga turizmi pas pandemisë.

FOTO/ Pas protestave, Bali vendos të heqë ashensorin e shëmtuar

Projekti i ashensorit, me vlerë rreth 200 miliardë rupie (12 milionë dollarë), përfshin një ashensor qelqi prej 60 miliardë rupie (3.6 milionë dollarë) i projektuar për të transportuar turistët poshtë shkëmbit të pjerrët, ku vizitorët shpesh janë lënduar gjatë ecjes përgjatë shtegut të ashpër.

Në vend, ndërtimi i ashensorit prej qelqi, i cili filloi në vitin 2023, ishte ndalur që kur autoritetet lokale e rrethuan atë në tetor. Shiriti i verdhë i sigurisë valëvitet rreth bazës së ashensorit të papërfunduar.

Grupet mjedisore dhe udhëheqësit vendorë, paralajmëruan se projekti dëmton ekuilibrin e brishtë të Balit midis zhvillimit dhe spiritualitetit. Sipas ligjit zakonor vendas, shkëmbinjtë bregdetarë dhe tempujt konsiderohen si zona të shenjta qendrore për filozofinë Tri Hita Karana të ishullit, e cila kërkon harmoni midis njerëzve, natyrës dhe hyjnores.

Rasti i ashensorit erdhi në mes të luftës më të gjerë të Balit, për të kontrolluar ndërtimet e parregulluara. Në vitet e fundit, autoritetet provinciale kanë urdhëruar masa të ashpra ndaj vilave, bareve dhe vendpushimeve që pushtojnë tokat bujqësore ose zonat shpirtërore.

Ankesat për pajtueshmërinë

Kryetari i Distriktit Klungkung, I Made Satria, tha se zhvilluesi i mori lejet direkt nga qeveria qendrore, duke kufizuar mbikëqyrjen lokale. "Ne në nivel rajonal kemi autoritet të kufizuar për të ndërhyrë", tha ai. "Por po koordinohemi me investitorin për të minimizuar çdo ndikim negativ".

Zhvilluesi, PT Bangun Nusa Properti, pohoi se ndoqi të gjitha procedurat ligjore, duke siguruar vlerësime mjedisore dhe teste të tokës në vitin 2023, sipas faqes së internetit të qeverisë së distriktit.

Drejtori i kompanisë, I Komang Suantara, tha se projekti ishte në përputhje me planin hapësinor të Balit për vitin 2024 dhe kodin e ndërtimit të vitit 2023.

Jo të gjithë e mirëpresin vendimin e ri. Turizmi përbën një pjesë të madhe të ekonomisë së Balit dhe zyrtarët kanë kërkuar investime të reja për të ringjallur sektorin pas pandemisë.

“Ky nuk është një investim i vogël”, tha Putu Darmaya, kryetar i Shoqatës Indoneziane të Hoteleve dhe Restoranteve në Klungkung, në faqen e internetit të grupit. “Pse të kundërshtojmë kur është pothuajse e përfunduar?”

Hilmi Razak, një turist që viziton Nusa Penida-n, tha se projekti i ashensorëve shkon kundër atraktivitetit të ishullit, si një vend për aventura natyrore dhe peizazhe të paprekura.

«Si dikush që e do natyrën, e kam të vështirë ta justifikoj këtë projekt», tha ai. «Nëse njerëzit mendojnë se ngjitja është shumë e lodhshme, ndoshta është më mirë të qëndrojnë në shtëpi»./ DPA News.