Lulja e Krishtlindjeve, bukuria e kuqe që mund të mos jetë edhe e bukur për miqtë tanë katërputroshë
Raftet e supermarketeve dhe dyqanet e luleve këtë sezon janë të mbushura plot me një simbol klasik të Krishtlindjeve. Dhe kështu ndodh edhe brenda shumë shtëpive, ku çdo dhomë duket sikur ndriçon me ngjyrën e kuqe festive të gjetheve të saj.
“Euphorbia pulcherrima”, e njohur si Lulja e Krishtlindjeve, ka qenë gjithmonë bima më e blerë dhe më e dhuruar gjatë festave, duke u bërë pjesë e pandashme e dekorimeve tradicionale, sipas “Corriere Della Sera”.
Gjethet e saj të kuqe, që rrethojnë lulet e vogla të verdha, e bëjnë atë të përshtatshme për ambientet e brendshme, duke i dhënë shtëpisë një atmosferë festive dhe elegante. Por, pas kësaj bukurie, fshihet një rrezik i padukshëm për disa nga banorët më të dashur të shtëpisë: qentë dhe macet.
Kjo bimë është toksike për kafshët, kryesisht për shkak të lëngut të saj të qumështit, i cili përmban komponime të forta kimike si euforbone, alkaloide dhe triterpene. Nëse kafshët e gëlltisin gjethet apo edhe i përtypin, këto substanca shkaktojnë reaksione të ndryshme.
Megjithatë, për fat të mirë, helmimet rrallë janë serioze dhe zakonisht nuk kërcënojnë jetën e kafshëve. Por efektet e tyre mund të jenë të shqetësuara dhe të dukshme për miqtë tanë me katër putra, nga djegia e gjuhës dhe buzëve, pështymë e bollshme, deri tek dermatiti vezikular, ënjtja e fytyrës, konjuktiviti dhe lotimi. Në rastet më të rënda, mund të shfaqen edhe të vjella, diarre dhe dridhje, duke alarmuar pronarët.
Për këtë arsye, ndërsa lulja e Krishtlindjeve mbetet një simbol i bukurisë dhe ngrohtësisë festive, është e rëndësishme që pronarët e kafshëve të jenë të kujdesshëm dhe ta vendosin larg nga qentë dhe macet, duke e shijuar ngjyrën e kuqe vetëm në mënyrë të sigurt për të gjithë banorët e shtëpisë.
Përgatiti: Albert Vataj

