Khalil Gibran për hyjninë e marrëdhënies grua - burrë

I mjerë është ai burrë që dashuron një femër dhe e merr për bashkëshorte, duke i vënë në pragun e këmbëve të saj djersën e ballit, lodhjen e kockave, gjakun e zemrës dhe frymën e shpirtit.

Ai që i beson asaj frutin e mundimeve dhe pasurinë e zellit të tij, duke menduar se përkushtimi i tij do të blejë një zemër.

E pastaj, një ditë, zbulon se zemra për të cilën u përul me aq mund e shpresë, është dhuruar lirshëm dikujt tjetër, për hir të një drite të padukshme, të një gëzimi të heshtur, të një dashurie që s’ka nevojë të blihet as të justifikohet.

E mjerë, po aq, është ajo femër që zgjohet nga ëndrrat e rinisë dhe vrulli i fantazive të saj, për t’u gjetur në shtëpinë e një burri që e rrethon me ar e argjend, me dhurata të çmuara dhe me mrekullitë e një jete të stolisur, por që nuk di t’i japë atë gotë të padukshme të verës së qiellit, që vetëm një shpirt i dashuruar mund t’ia derdhë një tjetri.

Sepse as pasuria, as stolitë, as luksi nuk mund të ushqejnë zemrën e një gruaje që kërkon një dritë që nuk blihet; një dritë që Zoti e ka vendosur në sytë e burrit për t’u derdhur si bekim në shpirtin e gruas.

Dhe kështu, burrë e grua mbeten dy udhëtarë të humbur, nëse shpirtrat e tyre nuk preken nga e njëjta flakë e butë dashurie, që nuk njihet me monedhë, por me ndriçim.

Përgatiti: Albert Vataj