Tajlanda nis sulmet ajrore kundër Kamboxhias, rriten tension dhe rifillojnë konfliktet kufitare
Tajlanda ka kryer sulme ajrore duke goditur, sipas autoriteteve, baza ushtarake përgjatë kufirit me Kamboxhian, ndërsa të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën se ka hapur zjarr e para, raporton Sky News.
Sipas zëdhënësit të ushtrisë tajlandeze, gjeneralmajor Winthai Suvaree, një ushtar tajlandez është vrarë dhe tetë të tjerë janë plagosur. Ai deklaroi se trupat kamboxhiane kanë qëlluar të parat drejt territorit tajlandez.
Si përgjigje, Tajlanda përdori avionë luftarakë “për të goditur baza ushtarake në disa zona, me qëllim neutralizimin e zjarrit mbështetës kamboxhian,” tha ai.
Nga ana tjetër, në Kamboxhia, nënkryetari i provincës Oddar Meanchey, Met Measpheakdey, njoftoi në një postim në Facebook se tre civilë janë plagosur rëndë gjatë përplasjes.
Zyrtarë kamboxhianë akuzuan ushtrinë tajlandeze se ka sulmuar e para trupat e tyre në provincën Preah Vihear.
“Kamboxhia i bën thirrje Tajlandës të ndalojë menjëherë çdo veprim armiqësor që cenon paqen dhe stabilitetin në rajon,” deklaroi zëdhënësja e ministrisë së mbrojtjes së Kamboxhias, Maly Socheata.

