Papa Leone XIV: SHBA-ja të favorizojë dialogun me Venezuelën, jo luftën

Papa Leone XIV sugjeroi sot që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të favorizojnë dialogun me Venezuelën në vend të një pushtimi, në një kontekst tensioni mes dy vendeve, pas vendosjes së forcave të armatosura amerikane në Detin e Karaibeve.

”Është më mirë të favorizohet dialogu”, deklaroi papa amerikan gjatë një konference për shtyp, në bordin e avionit që e ktheu nga një vizitë në Liban.

”Deklaratat që vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë të ndryshueshme. Nga njëra anë, duket se ka pasur një bisedë telefonike mes dy presidentëve.

Nga ana tjetër, ekziston ky rrezik, kjo mundësi për një veprim, përfshirë edhe pushtimin e territorit venezuelian”, shtoi papa Leone XIV duke theksuar se nuk dinte më shumë detaje.

”Në nivelin e konferencës ipeshkvnore, (…) ne kërkojmë mënyra për të qetësuar situatën për mirëqenien e popullit”, shtoi kreu i Vatikanit duke sqaruar se është kryesisht populli ai që vuan në këto situata dhe jo autoritetet.

Që nga gushti, SHBA-ja ka vendosur anije lufte dhe forca ushtarake në Detin e Karaibeve nën pretendimin e luftës kundër narkotikëve.

Presidenti Donald Trump e justifikon këtë duke akuzuar homologun e tij venezuelian për drejtimin e një karteli droge.

Karakasi i  mohon këto akuza dhe kundërpërgjigjet se qëllimi i Uashingtonit është të rrëzojë presidentin venezuelian dhe të marrë kontrollin e naftës së vendit.