Buxheti 2026, 12 milionë euro për trajnime dhe vetëpunësim të të rinjve

Buxheti i vitit 2026 parashikon një paketë të zgjeruar mbështetjeje për të rinjtë, duke i fokusuar investimet në punësim, hapje biznesesh dhe zhvillim profesional.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj u shpreh gjatë dëgjesës publike me banorët të njësisë 10 në Tiranë, pasditen e djeshme, se buxheti 2026 adreson një financim prej 12 milionë euro për Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, që i dedikohet posaçërisht programeve rinore.

Kjo mbështetje përfshin: programin e vetëpunësimit, që u jep të rinjve mundësinë të hapin bizneset e tyre përmes granteve dhe konsulencës profesionale, subvencionimin e pagës për të rinjtë që punësohen për herë të parë, duke lehtësuar barrën financiare për bizneset.
trajnime të subvencionuara në profesione të lidhura me teknologjinë, me synimin për të rritur aftësitë dhe konkurrueshmërinë e tyre në tregun e punës.

Po ashtu, vitin që vjen qeveria do të investojë 300 milionë lekë në startup-et, me qëllim financimin e bizneseve inovative të krijuara nga të rinj ambiciozë dhe të orientuar drejt teknologjisë.

Sipas ministres, këto masa synojnë të krijojnë më shumë mundësi punësimi cilësor, të nxisin sipërmarrjen dhe të fuqizojnë të rinjtë që të ndërtojnë karrierën e tyre në Shqipëri.