Propozimi amerikan/ Delegacioni ukrainas nis bisedimet me administratën Trump
Takimi mes delegacionit ukrainas dhe zyrtarëve të lartë të administratës Trump ka nisur të dielën pasditen e sotme në Florida, raportoi Agjencia Franceze.
Nga pala amerikane marrin pjesë Sekretari i Shtetit Marco Rubio, i dërguari special i Donald Trump, Steve Witkoff, si dhe dhëndri i presidentit amerikan, Jared Kushner, konfirmoi për Reuters një zyrtar i lartë amerikan.
Sipas Axios, Shtëpia e Bardhë synon që gjatë këtij raundi bisedimesh të mbyllen çështjet më të ndjeshme të marrëveshjes, përfshirë kufijtë territorialë dhe garancitë e sigurisë për Kievin. Rubio shpjegoi synimin e Uashingtonit duke theksuar:
“Qëllimi është t’i japim fund luftës në një mënyrë që krijon një mekanizëm dhe një rrugë përpara në mënyrë që Ukraina të mbetet e pavarur dhe sovrane, të mos përjetojë më kurrë luftë dhe të sigurojë prosperitet të jashtëzakonshëm për popullin e saj.”
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se delegacioni i tij, i udhëhequr nga kreu i sigurisë kombëtare Rustam Umerov, ndodhet në SHBA për “të përpunojë shpejt dhe në mënyrë efektive hapat e nevojshëm për t’i dhënë fund luftës.”
Umerov i tha gazetarëve në Florida se pret një takim “produktiv” me përfaqësuesit amerikanë.
Në platformën X ai shkroi se është “në kontakt të vazhdueshëm” me Zelenskyn dhe se do të raportojë për rezultatet e bisedimeve sapo të përfundojnë.
Bisedimet pritet të zhvendosen në Moskë
Pas raundit SHBA–Ukrainë, një delegacion amerikan pritet të udhëtojë drejt Moskës për të zhvilluar takim me presidentin rus Vladimir Putin.
Kjo lëvizje vjen pak ditë pasi Donald Trump prezantoi një plan me 28 pika, i cili parashikon koncesione territoriale ndaj Rusisë dhe kufizime të ndjeshme në ushtrinë ukrainase.
Plani u kritikua gjerësisht si i njëanshëm, duke shtyrë Zelenskyn të kërkonte me urgjencë negociata të drejtpërdrejta me ekipin amerikan — takim që u zhvillua më herët në Gjenevë. Zelensky tha:
“Pala amerikane po demonstron një qasje konstruktive dhe në ditët në vijim është e mundur të formulohen hapa për të përcaktuar se si ta çojmë luftën në një fund dinjitoz.”
Nga delegacioni ukrainas mungon Andriy Yermak, ish-kryenegociatori dhe njeriu më i afërt i Zelenskyt, i cili dha dorëheqjen pas një bastisjeje në shtëpinë e tij në kuadër të një skandali korrupsioni.
