Në Altar nga zyra e Kryeministrit/ Albanese kurorëzon martesën
Në Altar nga zyra e Kryeministrit. Anthony Albanese u bë i pari udhëheqës i Australisë që kurorëzohet në martesë gjatë ushtrimit të detyrës, pasi lidhi kurore partneren e tij Jodie Haydon në një ceremoni private në Canberra/
Dasma u zhvillua të shtunën pasdite, vetëm një ditë pas mbylljes së sesionit parlamentar, dhe u shoqërua me një deklaratë të shkurtër ku çifti shprehu gëzimin për këtë hap të rëndësishëm në jetën e tyre.
Ceremonia, e organizuar në rezidencën zyrtare të kryeministrit, u mbajt nën masa të rrepta sigurie, ndërsa detajet u mbajtën të fshehta deri në momentin e zhvillimit të saj. Të pranishëm ishin prindërit e znj. Haydon, djali i Albanese nga martesa e parë dhe disa ministra të kabinetit.
Një element i veçantë i dasmës ishte roli i qenit të familjes, Toto, që mbajti unazat, ndërsa çifti hyri në ceremoni nën tingujt e këngës së Stevie Wonder, “Signed, Sealed, Delivered (I’m Yours)”.
Festimet vijuan me një pritje ku vallëzimi i parë i çiftit u shoqërua me këngën “The Way You Look Tonight” të Frank Sinatrës, ndërsa të ftuarve iu servirën kanaçe birre të personalizuara me imazhin e fejesës së tyre.
Pamjet nga ceremonia u publikuan më vonë në rrjetet sociale të kryeministrit, ku çifti shihej teksa përshëndetej me të ftuarit.
Albanese, 62 vjeç, dhe Jodie Haydon, 47 vjeç, janë njohur në vitin 2020 gjatë një darke biznesi në Melbourne. Që prej asaj kohe, znj. Haydon e ka shoqëruar rregullisht kryeministrin në ngjarje të rëndësishme shtetërore dhe ndërkombëtare.
Pas fejesës, çifti e ka përshkruar marrëdhënien e tyre si një “fat të ndërsjellë”, ndërsa javën e ardhshme pritet të kalojnë muajin e mjaltit brenda Australisë.

