TRI MURGESHAT “REBELE”/ Murgeshat austriake fitojnë të drejtën të qëndrojnë në manastirin e braktisur
Autoritetet kishtare në Austri u kanë dhënë leje të përkohshme tri murgeshave të moshuara të ashtuquajtura “rebele” të qëndrojnë në manastirin e Goldensteinit, por vetëm nëse heqin dorë nga rrjetet sociale dhe pranojnë mbikëqyrje të plotë.
Tri murgeshat austriake të moshës 82 dhe 88 vjeç, të njohura si “murgeshat rebele”, kanë fituar një hapësirë të re lirie pasi autoritetet kishtare u kanë lejuar të qëndrojnë deri në një njoftim të dytë në në manastirin e braktisur të Goldenstein pranë Salzburgut, ku u rikthyen me forcë në shtator pasi u larguan nga një qendër kujdesi.
Bernadette, Regina dhe Rita, dikur mësuese në shkollën e manastirit, u bënë një sensacion ndërkombëtar falë pranisë së tyre aktive në rrjetet sociale, ku rrëfenin publikisht përpjekjet për të jetuar sërish në shtëpinë e tyre shpirtërore.
Vendimi i fundit i dioqezës vjen pas muajsh përplasje me eprorin e tyre shpirtëror, Markus Grasl, i cili këmbëngulte se murgeshat nuk mund të jetonin të sigurta në godinën e vjetër prej guri dhe kërkonte rikthimin e tyre në një institucion të specializuar.
Zgjidhja e re parashikon që motrat të marrin ndihmë mjekësore, shërbime kujdesi dhe mesha të rregullta brenda në manastirin, shërbime që deri tani janë ofruar shpesh në mënyrë të fshehtë.
Megjithatë, marrëveshja vjen me kushte strikte: murgeshat duhet të ndalojnë çdo aktivitet në rrjetet sociale, të mos pranojnë vizitorë dhe të zgjidhin një mosmarrëveshje ligjore me dioqezën.
Nëse gjendja e tyre shëndetësore përkeqësohet, ato do të regjistrohen në shtëpinë e kujdesit në Elsbethen. Sipas përfaqësuesve të tyre, negociatat ende po vazhdojnë dhe pritet përgjigjja zyrtare e avokatit të tyre.

