Pasardhësi i kartelit meksikan shkon drejt pranimit të fajësisë në Amerikë
Vëllai i tij, Ovidio Guzman, u deklarua fajtor në korrik për konspiracion në trafikun e drogës dhe për pjesëmarrje në aktivitetet e një organizate kriminale, duke pranuar se ai dhe tre vëllezërit e tjerë – të njohur si “Los Chapitos” – kishin marrë nën kontroll operacionet e kartelit famëkeq Sinaloa pas arrestimit të babait të tyre, Joaquin “El Chapo” Guzman, i cili po vuan një dënim të përjetshëm në një burg të sigurisë së shtuar në Kolorado.
Ndërkohë, Joaquín Guzmán López, i arrestuar në korrik 2024 sapo mbërriti me avion privat në Teksas, fillimisht u deklarua i pafajshëm për akuzat e trafikimit të drogës, pastrimit të parave dhe posedimit të armëve. Por sipas dokumenteve të reja të gjykatës të publikuara këtë të premte, ai pritet të ndryshojë qëndrimin dhe të deklarohet fajtor në gjykatën federale të Çikagos.
Arrestimi i tij shkaktoi reagime të forta brenda kartelit. Sipas dëshmive, Guzmán López kishte marrë me vete në mënyrë të pavullnetshme bashkëthemeluesin e kartelit, Ismael “El Mayo” Zambada, pasi ky i fundit është shprehur se kishte qenë i mashtruar për destinacionin e fluturimit. Sjellja e tij ndezi një konflikt të ashpër mes dy fraksioneve të Sinaloas – besnikëve të “Los Chapitos” dhe mbështetësve të Zambadës – duke prodhuar një bilanc tragjik prej afro 1,200 të vrarësh dhe 1,400 të zhdukurve.
Autoritetet amerikane vazhdojnë të akuzojnë kartelin Sinaloa si përgjegjësin kryesor për rrugët e trafikut të fentanilit drejt SHBA-së, një opioid sintetik që ka shkaktuar dhjetëra mijëra vdekje në vitet e fundit, duke u kthyer në një nga kërcënimet më të mëdha të sigurisë kombëtare amerikane.

